Kulturë

“Për’puthen” shijet e shqiptarëve për spektakle televizive


Në fillim vitet e 60’ta, një program televiziv në SHBA, ‘The Dating Game,’ shpërfaqi tendencat e para se shikueshmëria e reality-show-t që eksploatonte mundësitë për lidhje të ‘vërteta’ të dashurisë mund të arrinte majat. Dhe, kështu ndodhi. Jo shumë kohë më vonë, pasuesja e këtij emisioni, ‘Love Connection,’ qëndroi në transmetim për plot njëmbëdhjetë vite, 2100 emisione, duke qenë në kulmin e shikueshmërisë nga 1983 deri në 1994.

Që nga ajo kohë, industria e ‘dating reality shows’ ka shperthyer në secilën hapësirë të botës: prej ‘Uomini e Donne’ në Itali e deri te afërsisht tridhjetë spektakle të formatit të ngjajshëm që janë transmetuar në SHBA prej fillim viteve 2000.

Këto modele emisionesh, janë rinegociuar për t’iu përshtatur formave dhe kërkesave të audiencave me kalimin e kohës. Nga ‘The Bachelor’ e te ‘Love Island’, e deri tek modeli i ‘Celebrities Go Dating’ ku tentohet të shpërfaqet ana ‘e zakonshme’ e yjeve, krijimi i ‘reality show-t’ që merret me përditshmërinë e përvojave njerëzore ka zgjuar interesin e masave.

Në të njëjtën trajektore të ndikimit shoqëror, siç e kishte Big Brother shumë kohë më parë, sub-zhanri i ‘dating reality shows’ shpërtheu edhe në Shqipëri përmes ‘Për’puthen’.

Sot, jo shumë muaj që nga fillimi i transmetimit të emisionit, pavarësisht fushatës zgjedhore që është afër në Shqipëri dhe asaj qe po zhvillohet ne Kosovë, spektakli ‘Për’puthen’ ka okupuar hapësirën më të madhe të komunikimeve shoqërore e mediale.

Motivet e shikueshmërisë së lartë, nuk janë të qarta. Megjithatë, arsyetimet mbi mos-pelqyeshmërinë e emisionit, duket të jenë në kundërshti me numrin e klikimeve. Pas një numri të madh të shikuesve të ‘Për’puthen’, fshihet njëfarë ‘kenaqësie e mveshur me doza turpi’, se kinse emisioni s’do duhej të shikohej.

Në njërën anë, një numër grash sillen natyrshëm mbi pëlqimin e emisionit. Mes shumë burrash, fshihet edhe njëfarë maskuliniteti toksik, me pretendimin se kësi lloj emisionesh, nuk janë për ta. Te tjerët e mveshin përcjelljen sporadike të “Për’puthen” me njëfarë (pseudo) kurioziteti që pretendon se ky reality-show, reflekfon qartazi gjendjen shoqërore në Shqipëri.

Prandaj, duke marrë parasysh numrin e reagimeve të përditshme nënçmuese ndaj emisionit, vendosa të pyes njerëzit përreth mbi motivet e shikimit të këtij spektakli. Përgjigjet ishin nga me te ndryshmet.

“Më çau kokën e dashura duke ma dërguar çdo ditë emisionin. Nëse nuk e shoh, zihem me të” – me tha miku im me te cilin po pija kafenë e mëngjesit. Vendosa me radhë të pyes këdo më dilte përpara – të rinj, moshuar, gra, burra. Këdo.

“E shoh se kam qenë pa punë”, më tha një vajzë nga Tirana. Një tjetër ndërkohë, më pohon se “e sheh në punë, pasi kështu kalon e mërzitshme”. Përgjigjet ishin të kundërta, por në thelb të njëjta!

Kishte edhe nga ata që e ndiqnin sepse i pëlqenin memet në Instagram. Adoleshentët më së shumti. Të tjerë, e trajtonin më seriozisht, duke i kushtuar më shumë rëndësi përmbajtjes:

“Është program i lehtë, por ndonjëherë kap tema shumë të rëndësishme për Shqipërinë. Për shembull, mënyrën si shihen gratë”, më tregon një vajzë. “Çdo person aty përfaqëson një kategori të caktuar njerëzish vulnerabël”, thekson një tjetër.

Djemtë ndërkohë, dëshirën për ta parë me ankth se çfarë do të ndodhë serinë e ardhshme, e kamuflojnë duke justifikuar se është partnerja, ajo e cila i detyron ta shohin.

Dikush ma kthen anglisht: “I love the drama. It’s trash tv, and for some reason i love trash tv” (Më pëlqen drama. Është trash tv, dhe për arsye që nuk i di, më pëlqen trash tv).

“Më bën për të qeshur dhe është paksa patetik, por interesant ndonjëherë”, më thotë një 20 vjeçare. “Jeta ime është shumë e mërzitshme dhe më bën të kuptoj pse jam single”, ndërhyn shoqja e saj.

Nga ndjekja e këtij emisioni, nuk kanë shpëtuar as moshat më të mëdha. Gjyshja, e ndjek çdo ditë. “Nuk ka asgjë tjetër në atë orar. Lajmet i shohim tërë ditën. Më mirë të ndryshojmë pak”, më thotë.

“Mund të konsiderohet si një qasje e re në kulturën tonë, e cila intrigon psikologjinë e shqiptarëve”, mendon psikologia dhe psikoterapiste E.M.D.R, Oriola Plaku.

“Stili i të jetuarit shfaqet në një dimension të ndryshëm aty. Kjo sjell kuriozitet dhe nevojë për të ndjekur më shumë”.

Gjithsesi, ajo shtjellon se, dinamikat e emisionit, janë “kurthe psikologjike” që të shtyjnë ta ndjekësh. “Për shkak se janë njerëz realë, kurioziteti shtohet akoma më shumë”.

Plaku, pavarësisht kësaj, mendon se kjo sjellje, “nuk mund të përgjithësohet”. “Kolektiviteti shkakton humbje të vetëdijesimit dhe individualitetit. Në këtë rast, nuk mendoj se mund të perceptohet si i tillë”.

Përgjigjet duken të ndryshme, por vihet re se shumica e shijon spektaklin – edhe pse për arsye te tjera. Pra, përgjigjet janë saktësisht në frymën e njëjtë me studimet empirike qe kanë bërë studiuesit e komunikimit medial mbi demografinë dhe motivet e individëve, për të shikuar ‘reality dating shows’.

Në vitin 2007, Jonathan W. Roberti, përmes intervistimit të 601 respondentëve, kategorizon arsyet kryesore mbi shikueshmërinë e kësaj kategorie emisionesh: a) Kenaqësia, b) Përvojat shoqërore, dhe c) Largimi nga problemet ditore. Në këtë modelim, mund të kategorizohet secila nga përgjigjet që jepen në formë arsyetimi mbi shikueshmërinë e këtij emisioni.

Por, megjithatë, është e domosdoshme të sqarohet se ‘Për’puthen’ në vetvete është një format ku gjenerohet gjithçka, përveç qëllimit të vetë programit: Përputhjen e personazheve.

Nga sezoni i parë, u formalizua vetëm një çift, i cili nuk u shfaq kurrë në publik bashkë. Javë pas daljes nga programi, deklaruan ndarjen.

Nga i dyti ndërkohë, u formua një çift, i cili dy ditë më pas, u nda, për shkak të një personi të tretë, ish pjesëtar i formatit.

Pavarësisht faktit se nuk realizon atë që premton që në titull, asnjë nuk e përmend si faktor. Objekti kryesor i debatit mbeten zënkat, sharjet, bërja e meme-ve për Instagram.

Të vetmet gjëra që po përputhen, janë përvojat e përditshme me përvojat njerëzore te figurave të spektaklit.

Është një asocim i menjëhershëm njerëzor me mënyrën se si sjelljet e njerëzve në spektakël projektohen në përditshmërinë ton. Një qasje shumë me e investuar emocionale se sa në dramat e filmave të cilat fshehin pas një skenar.

Këtu, pavarësisht se diku ekziston një skenar, për’puthja me emisionin behet pikërisht mbi iluzionin se emisioni është spontan dhe fundi nuk është i para-caktuar. Njëfarë dëshire për të ditur më shumë mbi fundin e ‘miqve’ që si ke. Një mundësi ndryshe, për të diskutuar e bërë thashetheme për të tjerët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore