Shqipëria

Përpos sanksioneve, SpaceX dëshiron të sjellë internetin satelitor në Iran


SpaceX do të aplikojë për një përjashtim nga sanksionet e SHBA-ve kundër Iranit.

Kjo në një përpjekje për të ofruar shërbimin e saj të internetit satelitor në vend.

Lajmi u bë i ditur nga vetë, Elon Musk.

“Starlink do të aplikojë për një përjashtim nga sanksionet kundër Iranit”, tha Musk në përgjigje të një postimi në Twitter nga një reporter shkencor.

Musk fillimisht kishte njoftuar se shërbimi i internetit satelitor Starlink ishte vënë në dispozicion në çdo kontinent, përfshirë Antarktidën.

Gazetari shkencor me origjinë iraniane, Erfan Kasraie, kishte thënë në Twitter se sjellja e shërbimit në Iran mund të jetë një “ndryshues i vërtetë i lojës për të ardhmen” e vendit, gjë që shkaktoi përgjigjen e Musk.

I lancuar në fund të vitit 2020, Starlink ofron shërbim me brez të gjerë me shpejtësi të lartë.

Shërbimi u bë i njohur pasi furnizoi me antena dhe modem ushtrinë ukrainase për të përmirësuar aftësitë e saj të komunikimit në luftën e saj me Rusinë.

Starlink fiton para përmes blerjes së antenave, modemeve dhe abonimeve me tarifa që ndryshojnë sipas vendit.

Gati 3 mijë satelitë Starlink janë vendosur që nga viti 2019 dhe SpaceX po kryen rreth një lëshim në javë.

Irani ka qenë nën një regjim të ashpër të sanksioneve amerikane që kur ish-presidenti Donald Trump përfundoi një marrëveshje të vitit 2015 mbi aktivitetet e tij bërthamore.

Ndërsa presidenti aktual Joe Biden mbështet një rinegocim të marrëveshjes, këmbëngulja iraniane për garancitë afatgjata nga Washingtoni i ka ngecur diskutimet.

Raunde të reja sanksionesh u vendosën ndaj Iranit këtë muaj pasi një kompani me bazë në Teheran ndihmoi dërgimin e dronëve në Rusi dhe në përgjigje të një sulmi masiv kibernetik që synonte Shqipërinë në korrik të kryer nga ministria e inteligjencës e Iranit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore