Lajme

Përplasje në Shanghai për dëbimet nga bllokimi prej COVID-19


Miliona njerëz janë të kufizuar në shtëpitë e tyre, ndërsa Shanghai lufton me një shpërthim të ri të virusit.

Për shkak të kësaj ka pasur përleshje midis policisë dhe njerëzve, të cilët janë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Kushdo që rezulton pozitiv vendoset në karantinë dhe qyteti ka hyrë tashmë në javën e tretë të bllokimit të COVID-19.

Por, me më shumë se 20 mijë raste të reja në ditë, autoritetet po përpiqen të gjejnë hapësirë ​​të mjaftueshme.

Në javët e fundit, qyteti ka shndërruar sallat e ekspozitës dhe shkollat ​​në qendra karantine, duke ngritur spitale të improvizuara.

Por numri i ulët i rasteve serioze në Shanghai ka bërë që disa të pyesin nëse një bllokim është i nevojshëm, thonë korrespondentët.

Javët e fundit shumë banorë janë ankuar në rrjetet sociale për kufizimet dhe mungesën e furnizimeve ushqimore.

Njerëzit duhet të porosisin ushqim e ujë dhe të presin që qeveria të shpërndajë perime, mish dhe vezë. Ndërsa analistët thonë se shumë prej tyre po u mbarojnë furnizimet.

Zgjerimi i bllokimit ka mbingarkuar shërbimet e dorëzimit, faqet e internetit të dyqaneve ushqimore, madje edhe shpërndarjen e furnizimeve qeveritare.

Ndërkohë, pjesë të sektorit të prodhimit të Kinës së shpejti mund të duhet të mbyllen, të paktën përkohësisht, sepse kompanitë nuk mund të marrin komponentë thelbësorë nga Shanghai.

He Xiaopeng, president i prodhuesit të automjeteve elektrike “Xiao Peng”, tha se, nëse puna nuk fillon përsëri në Shanghai gjatë majit, potencialisht të gjitha fabrikat e makinave në të gjithë vendin mund të duhet të ndalojnë së funksionuari.

Kina është një nga vendet e fundit të mbetura që po mundohet ta çrrënjosë COVID-in, ndryshe nga pjesa më e madhe e botës që po përpiqet të jetojë me virusin.

Por, me përhapjen e variantit Omicron, kjo politikë zero-COVID është vënë nën tendosje javët e fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore