Lajme

Përplasje mes qeverisë çeke dhe presidentit për sigurinë e kështjellës së Pragës


Qeveria Republikës Çeke është në një përplasje me presidentin e vendit, pasi mori vendimin për t’u dhënë fund marrëveshjeve të diskutueshme për sigurinë e kështjellës historike të Pragës, për të parandaluar në kohë sulmet terroriste.

Ministri i Brendshëm, Vit Rakusan, tha se do t’i kërkonte policisë dhe shërbimeve të sigurisë të rishikojnë masat e vendosura për kompleksin prej 70 mijë metrash katrorë – atraksioni turistik më i vizituar i vendit – si dhe për rezidencën zyrtare të presidentit çek, Milos Zeman.

Rakusan, anëtar i partisë liberale të Kryebashkiakëve dhe të Pavarurve (Stan), kritikoi detektorët e metaleve dhe oficerët e armatosur që ruanin katër hyrjet e kështjellës si një “fortifikim lufte” që dëmton statusin e saj si një emblemë e nderuar e identitetit kombëtar.

“Kështjella e Pragës është një simbol i shtetësisë çeke”, shkroi ai në Twitter.

“Është e të gjithëve ne. Dhe ne nuk jemi në të vërtetë të gjithë terroristë, siç mund të ndihemi tani kur e vizitojmë atë. U kam kërkuar institucioneve përkatëse t’i rishikojnë të gjitha masat e sigurisë që kanë krijuar një fortifikim luftarak rreth kalasë”.

Rakusan u tha gazetarëve çekë se policia do të kërkonte mendimet e të gjitha organeve përkatëse.

“Ata do të vlerësojnë dhe komentojnë domosdoshmërinë e masave ekzistuese dhe ndoshta do të punojnë për një regjim të ri sigurie”, shtoi ai.

Po ashtu, ai shprehu besimin “se një vlerësim i masave masive aktuale është në rregull”.

Regjimi i rreptë, që u kërkon vizitorëve të zbrazin xhepat e tyre dhe të vendosin pasuritë në një rrip transportieri u kritikua ashpër, kur u prezantua në vitin 2016 pas sulmeve islamike në Paris dhe Bruksel.

Kontrollet shkaktuan radhë të gjata në portat e kalasë dhe turistët ankoheshin se shpenzonin kohë.

Kritikët këmbëngulën se statusi i kështjellës si pronë publike i bën masa të tilla të papërshtatshme, ndërkohë që dyshonin te besueshmëria e një kërcënimi islamik në një vend me një popullsi të vogël myslimane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore