Kosova

Përplasja me Kurtin, Osmani: Kur vendoset interesi shtetëror mbi të gjitha, çdo dallim është i tejkalueshëm


Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke folur për marrëdhëniet me kryeministrin Albin Kurti, pas tensioneve të fundit, ka thënë se kur vendoset interesi nacional para se gjithash, dallimet janë të tejkalusheme.

Këto komente, Osmani i ka bërë në një prononcim para gazetarëve të mërkurën, pasi që është pyetur për të komentuar deklaratën e Kurtit, i cili duke folur për tensionet me Osmanin theksoi se nuk beson që ka dallime që ka të tilla që janë të patejkalueshme.

“Kur vendoset interesi shtetëror dhe interesi qytetar mbi të gjitha, çdo dallim është i tejkalueshëm”, tha fillimisht Osmani.

Osmani së fundmi kritikoi Qeverinë e drejtuar nga Kurti, dhe personalisht atë në lidhje me moskoordinimin me të parën e vendit sa i përket letrës që ekzekutivi, në emër të kryediplomates Donika Gërvalla, i dërgoi Këshillit të Evropës, ku i propozoi që për anëtarësimin e Kosovës në KiE, qeveria do të shkruajë dhe dërgojë në Kushtetuese një draft për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Se cili ka qenë dallimi të gjithë e dini, për shkak se për këtë gjë kemi folur publikisht, tash është e domosdoshme që të gjitha institucionet e Kosovës, të gjitha partitë politike që përfaqësojnë qytetarët e Kosovës, bashkërisht të ulemi dhe të reflektojmë për çështje të interesit nacional”, deklaroi.

Për Osmanin, çështjet e interesit nacional “nuk janë detaje të parëndësishme, janë tema të cilat kërkojnë kontributin e secilit prej nesh”.

“Sepse të gjithë e duam Kosovën dhe kur ulemi së bashku dhe vendosim bashkërisht për tema të interesit nacional, atëherë edhe rezultati do jetë i mirë, siç ka dëshmuar historia e Kosovës në këto 25 vjet”, shtoi.

E para vendit theksoi se përtej vullnetit dhe dëshirës për ta mbrojtur Kosovën dhe Kushtetutën e saj, “e kam edhe detyrë kushtetuese këtë gjë… dhe brenda këtyre suazave unë bashkëpunoj me të gjitha institucionet e Kosovës”.

Një ditë më parë, kryeministri Kurti, duke komentuar kritikat e Osmanit ndaj tij dhe ekzekutivit të tij, tha se nuk beson që ekzistojnë dallime të patejkalueshme mes tij dhe krerëve tjerë shtetërorë, përfshirë presidenten.

“Kemi bashkëpunim të ngushtë. Kjo nuk do të thotë që edhe me kryeparlamentarin [Glauk] Konjufca, edhe me ministren e Jashtme, Gërvalla, edhe me presidenten [Vjosa] Osmani, nuk kemi pasur diskutime, ndonjëherë dallime, por unë nuk besoj që ka të tilla që janë të patejkalueshme”, tha Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore