Lajme

Përmirësohet gjendja shëndetësore e 23 vjeçares, transferohet në Klinikën e Neurokirurgjisë


Foto nga rënia e kulmit të Komunës së Prishtinës.

Gjendja shëndetësore e 23-vjecares e cila ishte lënduar nga rënia e kulmit në Prishtinë, është përmirësuar.

Ajo të hënën është transferuar në Klinikën e Neurokirurgjisë për trajtim të mëtutjeshëm.

Lajmin e ka bërë të ditur deputeti i Listës Guxo, Haxhi Avdyli, i cili ka vizituarën qytetaren e lënduar të martën në klinikë.

“Pas qëndrimit në mjekim intensiv dhe pas operacionit gati 4 orë për të evakuar e ndalur gjakderdhjen intrakraniale, Elza ia doli. Nga dje ajo është transferuar në Klinikën e Neurokirurgjisë për trajtim të mëtutjeshëm”, ka shkruar Avdyli në rrjetin social ‘Facebook’.

Teksa, ka shtuar se nga qëndrimi në aparaturë dhe gjendja e saj ku mbahej me barna, ajo tashmë është e vetëdijshme.

“Ajo është e vetëdijshme, komunikatave, e  lëvizshme me të gjitha ekstremitetet, përkundër që ka thyerje në para krah dhe ne vertebrën cervikale C7”.

23 vjeçarja deri tani ishte mbajtur në Klinikën e Mjekimit Intenziv, kjo për shkak të situatës së rënduar të saj dhe lëndimet që kishte pësuar nga rënia e kulmit.

Çka ndodhi?

Një person ishte lënduar pas rënies së kulmit të ndërtesës së Komunës së re të Prishtinës, të enjten e 19 janarit.

Lajmin për Albanian Post e kishte konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

“Rreth orës 13:00, është raportuar se në rrugën “Nora e Hotit”  në Prishtinë, një person ka marrë lëndime si pasojë e goditjes nga materiale që janë shkëputur nga çatia e një objekti”.

“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe mbështetur në informacionet e para është raportuar për një person të lënduar, femër, e cila është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, ka thënë Borovci për AP.

Ndërsa, ishte thënë se policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat që dërguan deri tek ky rast.

Kulmi i objektit të ri të Komunës së Prishtinës është cilësuar se nuk është ndërtuar në bazë të standardeve të ndërtimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore