Kosova

Përmes teknologjisë së avancuar synohet zvogëlimi i automjeteve pa regjistrim në Kosovë


Rreth 150 mijë automjete të pa regjistruara janë në Republikën e Kosovës, sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Por, jo të gjitha këto janë në qarkullim nëpër rrugët e Kosovës.

Këtë problem Byroja Kosovare e Sigurimeve është duke punuar ta eliminojë me teknologji të avancuar.

Sami Mazreku, drejtori i Byrosë së Sigurimeve të Kosovës (BSK), ka thënë se mjetet motorike që qarkullojnë pa regjistrim, përbëjnë rrezik në shkaktim e aksidenteve.

“Në këto rrethana, duke qenë se gjendja teknike e këtyre mjeteve motorike nuk është konform standardeve minimale të kërkuara sipas legjislacionit në fuqi, këto mjete mund të konsiderohet si tejet të rrezikshme për qytetarët, ngase të njëjtat nuk kanë pajisjet themelore për drejtim dhe rreziku i shkaktimit të aksidenteve është i lartë”, ka thënë Mazreku për Albanian Post.

Sipas Mazrekut, BSK ka në plan që përmes investimeve në teknologji ta eliminojë këtë problem.

“Kjo dukuri do të luftohet përmes investimeve në pajisje teknologjikë të avancuara, të cilat do të deduktojnë në mënyrë automatike mjetet motorike pa regjistrim dhe sigurim, të cilat pajisje do t’i dhurohen dhe jenë në përdorim nga Policia e Kosovës, në automjetet e tyre dhe lokacione kyçe të caktuara ku do të vendosen pajisjet statike në fjalë”.

Kjo iniciativë është ndërmarr referuar numrit të lartë të mjeteve motorike për regjistrim dhe sigurim, e që Kosovën e ky problem e pengon  ka thënë Mazreku në anëtarësimin e BSK-së në Këshillin e Byrove në Bruksel.

“Kjo çështje e ngritur referuar numrit të lartë të mjeteve motorike të paregjistruara e të pasiguruara është shqetësuese dhe e domosdoshme për t’u zgjidhur në kohen sa më të shkurt të mundur, sepse e njëjta është pengesë në procesin e anëtarësimin e Byrosë Kosovare të Sigurimit në Këshillin e Byrove në Bruksel, si institucion kompetent per caktimin e rregullave për aplikimin e Kartonit të Gjelbër”, ka thënë Mazreku.

Shefi i BSK-së, konsideron se ky problem duhet të rregullohet edhe me legjislacion, që janë duke punuar.

“Ne vlerësojmë se me angazhimet e tanishme qe jemi duke bërë, përfshirë edhe ndryshimet në legjislacionin primar dhe sekondar që rregullojnë çështjet e regjistrimit dhe sigurimit të mjeteve motorike në Republikën e Kosovës, në kohë të shkurt do të kemi rezultate konkrete për të përmirësuar gjendjen e përgjithshme dhe njëkohësisht për të plotësuar kriteret përkatëse për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare përkatëse”.

Muhamed Krasniqi, ekspert i komunikacionit, thotë se gjendja teknike e mjetit motorik mund të jetë shkaktar i aksidenteve në rrugë, duke shtuar se “kontrollimi i gjendjes teknike të automjeteve është  obligim ligjor i secilit shofer”.

“Ligjërisht secili mjet motorik që lëviz në rrugë duhet të jetë i siguruar rrjedhimisht i regjistruar”, thotë Krasniqi.

Ai konsideron se drejtimi i një mjeti motorik pa sigurim dhe regjistrim, mund të shkaktojë një aksident i cili mund të kushtojë me jetë.

“Kontrollimi teknik nuk duhet bërë sa për të marrë një certifikatë, por duhet bërë për të qenë i sigurt për të marr një rrugë. Inkurajimi i qytetarëve dhe krijimi i kushteve të favorshme për blerjen e automjeteve të reja do të kishte impakt të drejtpërdrejtë̈ në sigurinë e qytetarëve por edhe në shëndetin e tyre”, u shpreh ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore