Sport

Përmbysje spektakolare e Gironas në La Liga


Girona ka arritur të fitojë me përmbysje ndaj Valencia-s, 2-1, në ndeshjen e javës së 15 të La Liga-s spanjolle. Me fitoren e arritur, ata tashmë qëndrojnë të sigurt në krye të renditjes së kampionatit.

Ishte një ndeshje e mirë për vendasit në “Estadi Montilivi”, ndonëse Valencia ishte në avantazh për minuta të tera.

Pjesa e parë e takimit do të mbyllej me rrjeta të paprekura. Ndërsa Hugo Duro do të realizonte për miqtë në minutën e 56.

Megjithatë, gjithçka do të ndryshonte kur në fushë të futej veterani Christian Stuani, në minutën e 75.

37-vjeçari shënoi golin e barazimit në minutën e 82, teksa gjashtë minuta më vonë realizoi dhe golin që solli përmbysjen e madhe.

Vendasit do të gjenin golin e tretë me Savio-n në minutën e katërt shtese, por ai do të anulohej nga VAR-i. Megjithatë, fitorja u vulos për Girona-n.

Si rezultat, Girona shkon në kuotën e 38 pikëve, në krye të La Liga-s, me tre pikë më shumë se Real Madrid-i i vendit të dytë, por me një ndeshje më pak. Valencia qëndron në vendin e nëntë me 19 pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore