Përmbysje spektakolare e Altleticos ndaj Gironas
Romario Ismailaj
13.04.2024 16:08Atletico Madrid ka arritur një përmbysje të madhe nga 0-1 ne 3-1 përballë Girona-s në ndeshjen e javës së 31 në La Liga-n spanjolle këtë të shtunë.
Në “Civitas Metropolitano”, Atletico vendase u hakmorr për humbjen 4-3 ndaj Girona-s në fazën e parë të kampionatit.
Ukrainasi, Artem Dovbyk realizoi në minutën e katërt për të kaluar në avantazh Girona-n, megjithatë, vendasit do të arrinin të përmbysnin ndeshjen brenda pjesës së parë.
Një penallti nga Antoine Griezmann në minutën e 34 solli barazimin e sfidës. Në minutën e fundit të kohës shtesë (45+6’) të pjesës së parë, Angel Correa shënoi golin e avantazhit për skuadrën e Diego Simeone-s.
Në minutën e 50 të pjesës së dytë, francezi Griezmann do të realizonte golin e dytë personal dhe të tretin për vendasit duke vulosur një fitore të rëndësishme.
Me rezultatin e arritur, Atletico qëndron në vendin e katërt në La Liga me 61 pikë, katër pikë më pak se Girona e vendit të tretë.
Real Madrid-i ruan kryesimin në kampionatin spanjoll me 75 pikë, i ndjekur nga Barcelona me 67 pikë. Te dy gjigandët e La Liga-s kanë nga një ndeshje më pak.
La Liga do të zhvillojë edhe tre takime të tjera këtë të shtunë:
Rayo Vallecano – Getafe, ora 16:15;
Mallorca – Real Madrid, ora 18:30;
Cadiz – Barcelona, ora 21:00.