Sport

Përmbysje e çmendur e Barcelona-s ndaj Celta-s


Barcelona ka arritur një fitore dramatike, 3-2, në “Olimpic Lluis Companys”, duke përmbysur disavantazhin e dy golave në përballjen ndaj Celta Vigo-s.

Të besuarit e Xavi Hernandes bënë një ndeshje me dy fytyra, duke qenë më kërkues në pjesën e dytë sesa në atë të parë.

Celta arriti të gjente golin e avantazhit në minutën e 19 me Jorgen Strand Larsen. Me golin e tij u mbyll dhe pjesa e parë 1-0 për miqtë.

Në minutën e 76 të pjesës së dytë, miqtë do të realizonin edhe golin e dytë me Anastasios Douvikas.

Por, Barcelona nuk e kishte thënë ende fjalën e saj të fundit.

Në minutën e 81, Robert Lewandowski ngushtoi diferencat në 2-1. Polaku, vetëm katër minuta më vonë, realizoi edhe golin e barazimit.

Dhe, në minutën e 89, Joao Cancelo shënoi për 3-2 duke përfunduar një përmbysje të çmendur të ndeshjes nga ana e Barcelona-s.

Me fitoren e arritur, Barcelona ngjitet përkohësisht në vendin e parë të La Liga-s me 16 pikë, po aq sa ka edhe Girona. Real Madrid, i cili të dielën luan derbin e Madridit me Atletico, ka 15 pikë. Celta qëndron në vendin e 17 me 4 pikë.

Renditja e La Liga

Më herët, këtë të shtunë, në La Liga u luajtën edhe dy sfida të tjera: Girona 5-2 Mallorca, Osasuna 0-0 Sevilla. Në mbrëmje, duke filluar nga ora 21:00, Almeria do të presë Valencia-n.

Të dielën do të luhen takimet: Real Sociedad – Getafe, Rayo Vallecano – Villarreal, Las Palmas – Granda, Betis – Cadiz dhe Real Madrid – Atletico – Madrid.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore