Përballje

Përleshje mes futbollistëve në derbin argjentinas, shtatë futbollistë ndëshkohen me të kuq (VIDEO)


Si gjithmonë, derbi i zjarrtë i futbollit argjentinas mes River Plate  dhe Boca Juniors nuk mund të mbyllej pa tensione.

“Superclasico” i Argjentinës në mbrëmjen e kaluar u mbyll me rezultat 0:1 dhe pikërisht goli i vetëm i kësaj sfide solli tensione në fushë ku u shpërndanë shtatë kartonë të kuq.

Një penallti e dyshimtë në minutën e 93-të të ndeshjes, kur rezultati ishte 0:0, zhbllokoi përballjen e zjarrtë që u mbyll me fitoren e vendasve.

Penalltia, e kundërshtuar me forcë, u realizua nga kolumbiani Miguel Angel Borja.

Një penallti, që pasi, u shndërrua në gol, shkaktoi zemërimin e lojtarëve të Boca-s, pasi që gjyqtari nuk deshi as ta rishikojë përmes sistemit VAR.

Goli shkaktoi një rrëmujë dhe një përleshje të madhe mes futbollistëve të dyja skuadrave.

Si rezultat, gjashtë lojtarë u përjashtuan me kartonë të kuq: tre nga River Plate (Palavecino, Centurión dhe Elías Gómez) dhe tre nga Boca Juniors (Merentiel, Valentini dhe Equi Fernández), si dhe trajneri i miqve, Jorge Almiron.

Ndeshja u pezullua për një çerek ore për shkak të provokimit të Palavecinos.

Arbitri Herrera u rrethua nga lojtarët e Boca-s, por më në fund loja mundi të rifillonte. Boca përfundoi me tetë lojtarë dhe River me 10, pasi dy nga të përjashtuarit ishin nga stoli.

Dy minuta zgjati loja në vazhdim, por Boca nuk mundi të bënte asgjë dhe humbi ndeshjen pikërisht me golin që shkaktoi tensione të mëdha në fushë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore