Shqipëria

Përkufizimi i lirisë, sipas Lea Ypit


Në shkurt të vitit 2020, Lea Ypi e pa veten në dollapin e dhomës në përpjekje për të shkruar një libër për lirinë.

Profesoresha e teorisë politike në Shkollën Ekonomike të Londrës, sapo kishte nisur një bursë kërkimore njëvjeçare në Berlin kur bota hyri në izolim.

Bibliotekat i mbyllën dyert. Seminaret u pezulluan.

Tre fëmijët e saj të vegjël – në pamundësi për të dalë jashtë shtëpisë – kolonizuan apartamentin e familjes si shesh lojërash

Kështu, ajo e pa dollapin si vendin e duhur për të punuar.

Ypi studion përkufizimet politike të lirisë dhe bllokimi i dha ideve të saj peshë të re.

Mungesat me të cilat e përballi pandemia, i kujtuan fëmijërinë e saj në Shqipërinë e periudhës komuniste.

Ypit i dukej ironik fakti se, në Evropën Perëndimore – në qendër të demokracisë liberale – autonomia individuale po kufizohej në emër të së mirës shoqërore.

Ndjenja e transformimit të afërt që solli me vete pandemia, i rikujtoi kohën kur ishte dëshmitare e rënies së komunizmit në Shqipëri në fillim të viteve 1990.

Për të, në momente të tilla në histori, “idetë e lirisë dhe shoqërisë janë në provë”.

Njerëzit nisin të kenë dilema. E ardhmja, sado e shkurtër, duket e rrëmbyer.

Ypi kishte menduar të shkruante një traktat të drejtpërdrejtë mbi konceptet liberale dhe socialiste të lirisë politike.

Por kaskada e kujtimeve të nisura nga pandemia ia ndryshoi mendjen. Vendosi të shkruante një kujtim.

Vitin që pasoi, Ypi botoi librin me titull “Të lirë”, një rrëfim gjatë kohës së saj në Shqipëri gjatë tranzicionit të mavijosur në një sistem shumëpartiak.

“Të lirë” është historia intelektuale që Ypi kishte përfytyruar, duke eksploruar traditat politike të liberalizmit dhe socializmit, por ajo i teston këto ide kundër historisë së shekullit të XX.

Librit i është dhënë formë nga kolapsi i periudhës gati pesë dekadash i sundimit komunist në Shqipëri dhe zgjedhjeve të para shumëpartiake në vend, të cilat u zhvilluan në vitin 1991.

Në vitin 1997, kur Ypi ishte në vitin e fundit të shkollës së mesme, vendi ishte në gjendje të jashtëzakonshme.

Shkollat u mbyllën, institucionet financiare falimentuan, zemërata për paaftësinë e qeverisë shpërtheu. Ndërkohë që, mes trazirave civile, të shtënat ishin një dukuri e përditshme.

Protestat i lanë vendin luftimeve në rrugë dhe vlerësimet sugjerojnë se të paktën gjysmë milioni armë u grabitën nga depot ushtarake.

Në faqet e para të librit – asokohe një fëmijë – Ypi është e pafajshme kundrejt forcave që i japin formë botës rreth saj.

Por në fund të librit, premtimet dhe realiteti zhgënjyes, si i socializmit ashtu edhe i liberalizmit, dalin në pah.

“Të Lirë”, që nga koha e botimit, është përkthyer në 29 gjuhë dhe është bërë bestseller në shumë vende, duke përfshirë Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Islandën, Norvegjinë dhe Spanjën.

“Nuk mendoja se njerëzit do të interesoheshin menjëherë për Shqipërinë”.

Ndoshta, spekulon ajo, përgjigja ndaj librit të saj pasqyronte ankthet e thella për gjendjen e botës.

Ajo përmend pandeminë, krizën klimatike dhe mosfunksionimin e gjerë politik.

“Jemi në pikën ku institucionet nuk janë vërtet të qëndrueshme. Duhet bërë diçka, por nuk mund të gjejmë fuqinë për të ndërtuar alternativa”.

Në librin e vitit 1977, “The Romance of American Communism”, Vivian Gornick ankohet për “distancën shtypëse” që u fut në zërat e shumë shkrimtarëve, përfshirë ata që dikur ishin vetë komunistë, kur iu drejtuan temës së komunizmit.

Gornick shkruan se nën maskën e objektivitetit, shkrimtarë të tillë vepronin me supozimin se komunistët “ishin infantilë, kurse ne të pjekur”.

Ndërkohë, Ypi është shkrimtarja e rrallë postkomuniste që punon përmes të kaluarës së plagosur të projektit të socializmit pa hedhur poshtë në mënyrë refleksive bindjet e sinqerta të vetes së saj në moshën e re.

Ajo kërkon që lexuesit ta marrin seriozisht përpjekjen kolektive të socializmit të shekullit të XX dhe t’i shohin dështimet dhe shpresat e tij si një pasqyrë tonën.

“Njerëzit priren të mendojnë për liberalizmin dhe socializmin si plotësisht të kundërta. Në fakt, historikisht dhe filozofikisht, të dyja janë përpjekje për të menduar për lirinë”, shprehet Ypi.

Kur ishte fëmijë, si një pioniere e re e zjarrtë, ajo u mësua se jetonte në vendin më të lirë në tokë.

Sipas doktrinës së Partisë Komuniste Shqiptare, qytetarët e vendit jo vetëm që ishin të lirë nga shfrytëzimi kapitalist, por praktikonin një formë më të pastër socializmi sesa të tjerët në Bashkimin Sovjetik dhe Kinë, regjimet e të cilëve qeveria shqiptare i hodhi poshtë si revizioniste.

Por realiteti i saj i përditshëm ka rrëfyer një tjetër histori.

Te “Të Lirë”, ajo rrëfen se si të rriturit përreth saj flisnin me një gjuhë të koduar dhe shkëmbenin shikime kuptimplota.

Thëniet e saj fëmijnore për tema të ndaluara nganjëherë përballeshin nga paniku censurues i familjes së saj.

Edhe detyrat e përditshme kërkonin qëndrueshmëri të pazakontë: radhët për të blerë sende ushqimore ishin aq të gjata sa që blerja e ushqimit mund të zgjaste një ditë të tërë.

Mirëpo, privimi material ka pasur një ndikim edhe të natyrës psikologjike.

Nëna e saj e çmonte aq shumë një kanaçe bosh Coca-Cola, saqë pasi u zhduk, akuzoi një mik të ngushtë se e kishte vjedhur.

Pas tranzicionit në liberalizëm, shqiptarët ishin më mirë në disa mënyra të rëndësishme.

E kishin nxjerrë veten nga kufizimet e komunizmit. Nuk kishin më nevojë për besnikëri ndaj Stalinit dhe Enver Hoxhës, i cili ishte ish-kryeministri shqiptar.

Po ashtu filluan të flisnin përsëri për fetë e tyre.

Por, paçka këtyre, shqiptarët mbetën jo të lirë.

Pa institucione të fuqishme financiare ose politike, vendi ishte në mëshirën e ekonomisë së tregut të nënrregulluar thellësisht të vendosur nga qeveria e re.

Shumë njerëz humbën pjesën më të madhe të kursimeve të tyre në skemat piramidale.

Varfëria materiale vazhdoi. Punët e paguara mirë ishin të vështira për t’u arritur.

Sa i përket prindërve të Ypit, ata kishin pikëpamje të ndryshme për lirinë.

Nëna e saj, Doli, e cila ishte mësuese e shkollës së mesme, besonte në një lloj lirie individualiste, liridashëse.

Për të, shkruan Ypi, “bota ishte një vend ku lufta natyrore për mbijetesë mund të zgjidhej vetëm duke rregulluar pronën private”.

Kurse i ati, Zafo, kishte një vizion më të orientuar nga shoqëria për lirinë.

Ai ishte inxhinier në menaxhimin e pyjeve dhe ndoqi politikën me shumë interes, shpesh duke huazuar ngjarjet botërore për të rrëfyer jetën e tyre.

Ypi ka lindur në vitin 1979, para kohe, dhe i është dashur të qëndrojë në inkubator për muaj të tërë.

Në një moment, shanset e saj për të mbijetuar ishin 50 për qind.

Zafo ka thënë me shaka, duke iu referuar krizës së pengjeve në Iran, “thuajse njësoj si diplomatët amerikanë në Teheran”.

Gjyshi i Zafos kishte shërbyer për pak kohë si Kryeministër në fillim të viteve ‘20, dhe babai i Zafos, një avokat aktiv në qarqet social-demokrate, ishte burgosur nga qeveria komuniste për 15 vjet.

Si rezultat i prejardhjes së tij familjare, Zafo ishte ndaluar nga Partia për të studiuar matematikë në universitet, por përvoja nuk e helmoi angazhimin e tij për egalitarizëm.

Ai përqafoi betejat ndërkombëtare për liri, duke u entuziazmuar me lajmin e fundit të aparteidit në Afrikën e Jugut dhe ishte përçmues ndaj konsumizmit.

Kur shihte një person që lypte për para, ai zbraste xhepat, duke i thënë vajzës së tij se privimi nuk ishte një dështim personal.

Menjëherë pas zgjedhjeve të para shumëpartiake të vendit, në vitin 1991, Zafo u pushua nga puna në pylltari.

Administrata e re nuk po i jepte prioritet mbjelljes së pemëve dhe zyra e tij do të mbyllej.

Pas një periudhe të gjatë papunësie, ai gjeti punë në portin më të madh të vendit, i cili së shpejti do të privatizohej pjesërisht.

Si drejtor i përgjithshëm, ai luftoi me veprimet që iu kërkua të bënte për ta mbajtur ndërmarrjen fitimprurëse.

Pushimi i punëtorëve dhe privimi i tyre nga mjetet e jetesës e shkatërroi atë më shumë sesa vetë të qenit i papunë.

“Socializmi ia kishte mohuar mundësinë për të qenë ai që donte. Kapitalizmi po ua mohonte atë edhe të tjerëve”, shkruan Ypi.

Doli e përballoi tranzicionin në post-komunist më me sukses se sa i shoqi.

Ajo iu bashkua Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe shërbeu si drejtuese e një shoqate kombëtare të grave.

Ajo vazhdoi të ishte e zënë me organizimin e fushatave reformuese dhe duke kërkuar kthimin e pronave të familjes – të cilat ishin konfiskuar nga komunistët – në gjykatë.

Doli – ndryshe nga Zafo – nuk besonte në mirësinë e njerëzve.

“Kjo është arsyeja pse ajo ishte e bindur se socializmi nuk mund të funksiononte kurrë, edhe në rrethanat më të mira. Ishte kundër natyrës njerëzore”, shkruan Ypi.

Duke hezituar t’u besonte njerëzve të tjerë ose shtetit, ajo preferoi t’i merrte gjërat në duart e saj dhe të çonte në minimum fuqinë e njerëzve të tjerë për të ndërhyrë në jetën e saj.

Kur një aktiviste feministe franceze e pyeti Dolin se si e trajtonte ngacmimin seksual, ajo u përgjigj se mbante gjithmonë një thikë.

Në rininë e saj, iu desh të dilte për autostop për të udhëtuar për të dhënë mësim në një shkollë të largët fshati.

Një herë, një shofer kamioni vendosi njërën dorën në kofshën e saj. Asaj iu desh ta paralajmëronte duke e ‘gudulisur’ me majën e thikës.

Nën komunizëm, Doli kishte guximin të rriste një tufë zogjsh në banjën e tyre në mënyrë që të siguronte një furnizim të besueshëm me vezë për familjen.

Gjatë trazirave të vitit 1997, kur Partia Demokratike e Shqipërisë filloi të shpërndante armë për vetëmbrojtje, ajo u përpoq të bindte të shoqin se mund ta përdornin një të tillë.

Zafo nuk donte një armë zjarri në shtëpi, por ajo këmbënguli se mbajtja e një arme nuk mund të ishte pengesë.

Te “Të Lirë”, Ypi anon më shumë drejt pikëpamjes së gjerë, të orientuar nga shoqëria ndaj lirisë së babait të saj, sesa ndaj pikëpamjes më të ngushtë individualiste të nënës së saj.

Por spiranca e vërtetë e librit është gjyshja e saj nga ana e babait, Nini, e cila ndihmoi në rritjen e Ypit dhe që e qortonte në frëngjisht kur ajo sillej keq.

Nini u rrit në privilegj ekstrem – xhaxhai i saj ishte një pasha në Perandorinë Osmane dhe ajo u takua me burrin e saj në dasmën e monarkut shqiptar Mbretit Zog.

Por ajo humbi gjithçka herët në jetë.

Pasi komunistët morën pushtetin, në vitin 1946, shumë nga miqtë me ndikim politik të familjes së saj u vranë, burri i saj u burgos dhe asaj iu desh të punonte në kampet e punës.

Edhe kur ajo vuante nga persekutimi politik dhe njerëzit e afërt të saj po vdisnin me ekzekutim ose vetëvrasje, Nini mbeti e bindur për lirinë e saj morale.

“Pavarësisht nga ndryshimet e rrethanave dhe shtypja rreth saj, ajo mendonte se do të kishte qenë gjithmonë moralisht e lirë për të vepruar në një mënyrë të përgjegjshme”, tregon Ypi.

Si studiuese, ajo ka arritur të shohë fokusin e gjyshes së saj në lirinë morale për të qenë e ngjashme me idenë kantiane të lirisë, një temë që Ypi e ka hulumtuar dhe dhënë mësim për më shumë se një dekadë.

Kantianët si Ypi reflektojnë mbi dallimin midis “lirisë negative” (preferencat e një personi pa kontekst shoqëror) dhe “lirisë pozitive” (që përfshin marrjen e vendimeve të bazuara në arsye, duke lënë mënjanë dëshirat e menjëhershme të dikujt).

Në Amerikë, “vendin e të lirëve dhe fenerin e demokracisë”, njerëzit shpesh e mendojnë lirinë si një të drejtë, jo si diçka që duhet të realizohet dhe të ruhet në bashkëpunim me të tjerët.

Në fillim të këtij viti, në një fjalim të mbajtur në Çikago, ajo i kujtoi audiencës se demokracia është një “ideal i kërkuar”.

Sipas saj, sistemi ynë aktual “nuk është vërtet demokraci: ne kemi plejada dhe konfigurime interesash që janë shumë të fuqishme…ju keni një botë ku shtetet e forta formësojnë fatet e shteteve më të dobëta; keni vende ku qytetarët më të fortë me më shumë para i japin formë fatit të qytetarëve më të dobët”.

Ypi sheh “një mospërputhje të dukshme midis ideologjisë së lirisë dhe lirisë ideale”.

Në mungesë të së vërtetës, fjala shpesh thirret si licencë për të shpërfillur mirëqenien e të tjerëve: të refuzosh të vendosësh maska gjatë një shpërthimi të COVID-it; për të treguar pronësinë civile të armëve sulmuese në një kohë kur të shtënat masive janë më të shumta se ditët e vitit; për të shprehur retorikën anti-trans që nxit dhunën dhe vetëvrasjet në botën reale.

Ypi ka një këmbëngulje freskuese për përgjegjësinë që sjell liria.

“Ekziston një dimension i lirisë që nuk ka të bëjë vetëm me kënaqësinë, por ka të bëjë me vendosjen e dëshirave tuaja në një kontekst moral dhe në kontekstin e marrëdhënies me njerëzit e tjerë, dhe të thuash, çfarë ka kuptim për të gjithë ne”, beson Ypi.

Në një artikull të vitit 2019 për New Statesman, ajo i bëri jehonë paralajmërimit të Platonit te “Republika”, se demagogu, “njeriu i popullit” në majë të dëshirave dhe tekave të tij, është një kërcënim i përhershëm për demokracinë.

Në të ajo vuri në dukje se dështimi për të punuar drejt lirisë së të tjerëve, e lë derën e hapur për populistët si Boris Johnson dhe Donald Trump.

Edukimi i Ypit për filozofinë politike filloi në vitin 1997, kur, e ndihmuar nga një bursë, ajo mbërriti në Universitetin Sapienza të Romës.

Në universitet i siguroheshin strehimi dhe vaktet subvencionoheshin, por ajo jetonte me rreth 100 dollarë çdo muaj.

Nëse ajo donte të gatuante, nuk kishte buxhet për të ngrënë rregullisht mish apo peshk.

Në vend të kësaj, ajo blinte qese me supë me domate në trajtë pluhuri të konservuar.

Ende i vjen ndërmend se si endej javë pas jave me dëshirën e madhe për të konsumuar një copëz të çokollatës Côte d’Or.

Nuk kishte buxhet. Nuk kishte njeri që t’i thoshte se çfarë të mendonte apo çfarë të bënte.

Pa para, jeta ishte plot kufizime: ajo nuk mund të përballonte të shkonte në kinema, të rrinte me miqtë në bare ose të frekuentonte një kurs të gjuhës gjermane.

Shokët e saj shpesh vinin nga familje të pasura. Megjithëse ata përkrahnin idetë politike të krahut të majtë të barazisë, “përherë kishte të bënte me problemet e botës, jashtë tyre”.

Verbëria e tyre ndaj avantazheve të tyre dhe ndaj privimit të Ypit ishte goditëse. “Kisha shumë inat ndaj tyre. Si nuk e shihnin që varfëria ishte një kufizim kaq i madh për jetën e dikujt?”.

Para se të nisej për në kolegj, ajo i kishte premtuar të atit që të mos studionte Marksizëm. Por përvoja e saj e formave të mungesës së lirisë që vazhdoi në shoqëritë liberale e shtyu atë të ribashkohej me traditën e socializmit.

Gjatë doktoraturës, ajo filloi të eksploronte “mundësinë e pajtimit të Kantit dhe Marksit” dhe bazën e tyre të përbashkët në kërkimin e shoqërisë për liri.

Pasi Shqipëria kaloi në liberalizëm dhe njerëzit ishin të lirë të largoheshin, vendi përjetoi një eksod të emigrantëve që kërkonin paga më të mira për të përballuar jetesën.

Por një e ardhme më e mirë nuk ekzistonte për shumë prej tyre.

Disa u mbytën gjatë udhëtimit në det për në Itali. Të tjerë, si shoqja e fëmijërisë së Ypit, të cilën ajo e quan Elona në libër, punonte pranë një stacioni treni në Milano, duke u përpjekur të siguronte jetesën përmes punës seksuale pasi kishte ikur nga shtëpia në moshën 13-vjeçare.

“Kishte kaq shumë racizëm kundër shqiptarëve në vitet ‘90 në Itali”, tregon Ypi.

Një herë, në tren në Romë, ajo ofroi të mbante një çantë për një grua të moshuar, e cila e falënderoi duke i thënë se “ka kaq shumë shqiptarë përreth që vjedhin çanta”.

Kanë kaluar 26 vjet që kur Ypi u largua nga vendi i saj.

Prej asaj kohe, ksenofobia është legjitimuar politikisht në shumë pjesë të Evropës. Partitë e ekstremit të djathtë kanë lëvizur nga skaji në rrjedhën kryesore.

Vitin e kaluar, Suella Braverman, e cila në atë kohë ishte Ministre e Brendshme britanike, i tha Parlamentit:

“Nëse Laburistët do të ishin në krye, ata do të lejonin të gjithë kriminelët shqiptarë të vinin në këtë vend. Ata do të lejonin të gjitha varkat e vogla të vinin në Mbretëri të Bashkuar. Ata do të hapnin kufijtë dhe do të minonin plotësisht besimin e popullit britanik në kontrollin e sovranitetit tonë”.

Një javë pas deklaratës së Braverman-it, Ypi vuri në dyshim se pse e djathta ishte kaq e fiksuar me shqiptarët.

“Nuk është vetëm një problem i komunitetit shqiptar. Është një problem për Britaninë. Ju filloni të shpërbëni projektin multikulturor të integrimit nëse filloni t’i trajtoni pakicat kështu”, tha bindur ajo në një emision mëngjesi.

Gjatë 14 viteve që ajo ka jetuar në Mbretërinë e Bashkuar, vëllai i saj nuk mundi të merrte kurrë një vizë për ta vizituar.

Në vitin 2015, kur Ypi solli në jetë fëmijën e saj të dytë, autoritetet e emigracionit nuk lejuan as nënën e saj.

Që nga shfaqja e saj në “Good Morning Britain”, Ypi ka marrë më shumë se 100 mesazhe në mediat sociale nga diaspora shqiptare, duke ndarë hallet e emigracionit dhe ndjenjat e ankthit në punë dhe shkollë.

Ajo është kthyer në përfaqësuesen e tyre të rrallë me një platformë, të cilën e ka përdorur për të përforcuar zërin e tyre.

“Sistemi i emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar nuk gjen kriminelë – ai i krijon ata. Ai projekton qëllimin kriminal shumë përpara se të ndodhë ndonjë akt kriminal,” ka thënë ajo, duke iu kundërvënë retorikës së Braverman-it.

Ypi mendon se emigrantët ekonomikë duhet të shihen si refugjatë apo azilkërkues politikë.

Mungesa e mundësive të punësimit që i shtyn ata të largohen nga vendet e tyre janë thuajse gjithmonë rezultat i shtypjes dhe shfrytëzimit historik.

Për Ypin, politikanët duhet ta përcaktojnë emigracionin ekonomik si “një implikim të padrejtësisë globale”.

Nëse liria e lëvizjes është një e drejtë që ia vlen të mbrohet, argumenton ajo, shoqëritë liberale nuk mund të dënojnë vende si Koreja e Veriut që i pengojnë qytetarët të largohen ndërsa mbyllin kufijtë dhe burgosin emigrantët.

Ypi është poliglotë – flet shqip, frëngjisht, italisht, anglisht, gjermanisht dhe spanjisht—por dy gjuhët që ajo e gjen veten duke udhëtuar më shpesh janë letërsia dhe filozofia.

Kur ishte vajzë e re, ajo donte të bëhej shkrimtare dhe kompozoi poezi për shtypjen, zhgënjimin dhe lirinë.

Pas rënies së komunizmit, një ekip televiziv francez duke bërë një dokumentar për tranzicionin filmoi 11-vjeçaren Ypi që kthehej nga shkolla.

Në atë dokumentar, ajo ecën midis ndërtesave të ulëta në një shteg të mbuluar me rrënoja.

“Kam qenë me fat në fatkeqësitë e mia”, i thotë ajo gazetarit.

Më pas, lexon një nga poezitë e saj në frëngjisht.

“Njeriu e trashëgon tokën me kënaqësi dhe ndonjëherë me mjerim. Nuk është Zoti, por njeriu që do ta shkatërrojë”, reciton ajo.

Në ato vite, teksa bota e jashtme u shpërbë, Ypi gjeti strehë te leximi.

Pas tranzicionit, tekstet e historisë që ajo dhe shokët e saj të klasës kishin përdorur në komunizëm u hodhën poshtë.

U desh pak kohë që të botoheshin të reja. Nuk kishte printera në punë ose letër për të printuar.

Nëna e Ypit hapi një tufë librash – letërsi, filozofi, ligj dhe histori arti – që ishin ruajtur larg syrit në papafingon familjare.

Librat, që i përkisnin gjyshit të saj, i cili studionte në Francë në vitet 1919-1930, ishin të mykur dhe të zverdhur, dhe shumë faqe tregonin shenja të kafshimit nga minjtë.

Një enciklopedi franceze e prezantoi atë me Platonin, Niçen dhe Sartrin.

Ajo u kënaq me Danten, Shekspirin, Balzakun, Maupassant-in dhe Proustin dhe i pëlqente të kalonte kohë me rusët: Pushkin, Dostojevski, Çehov, Tolstoi.

“Kam krijuar një identitet paralel përmes këtyre librave dhe këtyre personazheve”, ka treguar Ypi.

30 vjet më vonë, emrat e personazheve në romanet klasike rrokullisen në kujtesën e saj si të ishin miq të vjetër: ajo u identifikua me Settembrinin e Thomas Mann për “arsye, shpresë dhe besim” dhe e donte Madame Odintsova të Turgenev për të qenë racionale edhe në emocionet e saj.

Por akademia e vrau ngadalë letërsinë brenda saj.

“Ju hyni në këtë fushë të koncepteve abstrakte, por ju humbni anën njerëzore, sepse jeni duke përgjithësuar dhe abstraguar gjatë gjithë kohës”, rrëfen ajo.

“Është e vështirë të shkruash thjeshtë. Ajo që më pëlqen te letërsia është se është një gjë shumë demokratike. Ju hapni rrugë për njerëzit që të merren me problemet e tyre”.

Përpjekja për të shkruar personazhe të fortë e detyroi Ypin të debatonte me idetë e saj.

“Ti krijon një teori alternative në mendjen tënde për të strehuar në një personazh të caktuar”. Pastaj ai personazh “të sfidon dhe kështu bëheni kritiku më i keq i vetvetes”.

Shkrimi i librit “Të Lirë” e detyroi të shihte nënën e saj nga një këndvështrim i ri.

Doli nuk ishte një nënë empatike.

Kur u aktivizua në politikë, ajo nuk kishte shumë kohë për vajzën e saj. “Ajo po i përkushtohej shumë sferës publike”, sipas Ypit.

Por, pasi Ypi solli në jetë fëmijët e saj, ajo është përpjekur të balancojë rolet e saj si nënë dhe profesioniste, dhe ka arritur të kuptojë qasjen e pakuptimtë të nënës së saj ndaj rritjes së fëmijëve.

“Fillova të shoh më shumë kufizime në jetën e saj në krahasim me të drejtat e mia”, dallon Ypi.

Pa ndihmë në rritjen e fëmijëve të saj, Doli duhej të fokusohej në plotësimin e nevojave të tyre konkrete.

Ajo ende shpreh mbështetjen për vajzën e saj në formën e përfundimit të detyrave në listën e detyrave të Ypit dhe është skeptike për punën e saj në filozofi.

Ajo mendon se Ypi është një utopiste që luan “lojëra me fjalë” dhe që nuk e kupton botën reale. “Mamaja ime është vërtet skeptike ndaj njerëzve”.

Asaj nganjëherë i lëkunden bindjet, dhe mendon se ndoshta skepticizmi i nënës është i drejtë.

Shumë komentatorë duket se e kanë më të lehtë të vlerësojnë kritikën e Ypit për të kaluarën komuniste të Shqipërisë sesa të angazhohen me kritikën e saj po aq të ashpër ndaj kapitalizmit të sotëm.

Ypi sakaq e di se shkrimi i saj kundërshton idetë që njerëzit i marrin si të mirëqena. “Ndonjëherë ata nuk duan të sfidohen shumë. Ata duan të ndihen ende të sigurt disi”.

Në librin e parë që ajo botoi, në vitin 2011, një meditim mbi drejtësinë globale dhe agjencinë politike, ajo e paraqet veten si një filozofe në “modalitetin aktivist”.

Ajo nuk është e kënaqur thjesht të vëzhgojë gjërat ashtu siç janë. Dëshiron të nxisë debate se si t’i ndryshojë ato.

Për të “asgjë nuk ishte e realizueshme derisa u bënë sepse dikush kishte guximin të dilte atje dhe ta artikulonte atë dhe ta bënte të ndodhte”.

Dita e saj është e ngjeshur, edhe bashkëshorti, politolog, udhëton shumë. “Shtëpia jonë është si një holl hoteli. Njëri vjen me një valixhe dhe tjetri shkon”.

Por ajo kujdeset t’i ketë udhëtimet e shkurtra – pjesë e aktit balancues të studiueses-autores-nënës.

Nëse dikush e pyet a ndjehet e lirë, ajo i rikthehet konceptit të gjyshes për lirinë.

“Është diçka që zbulohet kur veproni me përgjegjësi”.

Rutina e saj e egër është e shoqëruar nga momente harmonie, si kur fëmijët e saj, të frymëzuar nga vepra e saj, i kanë thënë se duan të jenë shkrimtarë si ajo.

Ajo dëshiron t’i rrisë ata ashtu siç e ka rritur gjyshja, duke i mësuar të sillen me përgjegjësi dhe të jenë kritikë ndaj privilegjeve të tyre.

“Të jesh një agjent moral është shumë kërkuese. Por atëherë gjithçka është e vështirë. Dhe kostoja për të mos u përpjekur është më e lartë”.

Marrë nga “New Yorker”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore