Lajme

Përkeqësohet përhapja e poliomielitit në Pakistan


Në Pakistan, fushata e zhdukjes së poliomielitit është në rrëmujë pas një rritjeje alarmante të rasteve javën e kaluar.

Gjatë muajit të kaluar, janë raportuar tetë raste të poliomielitit te fëmijët në rrethin e Waziristan-it të Veriut, në kufi me Afganistanin.

Këto janë rastet e para në më shumë se një vit.

Për zyrtarët, ky shpërthim është për shkak të faktit se prindërit e deklarojnë gabimisht veten dhe fëmijët e tyre si të vaksinuar.

Prandaj, edhe qeveria ka nisur një hetim për shpërthimin.

Waziristan-i i Veriut është një ish-bastion i talebanëve në Pakistanin Veriperëndimor, ku mendohet se shkalla e lartë e refuzimit të vaksinave qëndron pas rasteve të reja.

“Deklarimet e rreme dhe refuzimet janë dy arsye kryesore në shpërthimin e fundit, me stafin që komploton me prindërit për të shmangur vaksinimin”, ka treguar Zulfiqar Babakhel.

Koordinatori i programit kombëtar, Shahzad Baig, ka thënë se “rastet po theksojnë saktësisht se ku qëndrojnë sfidat dhe ne po bëjmë çmos për të siguruar që virusi të mbetet i përmbajtur dhe ta luftojmë atë deri në fund”.

Abdul Qadir Patel, ministri Federal i Shëndetësisë, ka thënë se “pas dy rasteve të para në prill, programi i poliomielitit ndërmori hapa të menjëhershëm për të rrethuar këtë zonë dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit”.

“Pakistani ka pasur sukses të jashtëzakonshëm kundër poliomielitit gjatë viteve të fundit dhe ne po marrim të gjitha hapat për të mbrojtur përfitimet e arritura nga programi”, ka shtuar ai.

Sipas tij, ka qenë thelbësore që prindërit t’i vaksinonin fëmijët e tyre sa herë që duhej, pasi çdo dozë e vaksinës së poliomielitit ka ndërtuar imunitet të mëtejshëm.

Në mbarë vendin, vaksinimet janë kryer derë më derë për 25 vitet e fundit.

Ekipet janë kryesisht punonjës shëndetësorë, shpesh vullnetarë, të cilat shoqërohen nga rojet e sigurisë.

Tri fushata të tilla janë realizuar në janar, mars dhe maj të këtij viti.

Gjatë fushatës së marsit në Pakistanin Veriperëndimor, persona të armatosur qëlluan dhe vranë një punonjëse të poliomielitit.

Po ashtu, në janar, në veriperëndim, sulmuesit qëlluan dhe vranë një oficer policie që ruante sigurinë për ekipin e poliomielitit.

Atje, grupet militante kanë vrarë më shumë se 100 punonjës shëndetësorë dhe rojet e tyre të sigurisë që nga viti 2012.

Referuar OBSH-së, Pakistani është një nga dy vendet e vetme, me Afganistanin, ku virusi i poliomielitit të egër është ende endemik.

Sakaq, ndjenja kundër vaksinimit është e rrënjosur thellë. Atje janë përhapur mite se vaksinat janë një komplot nga Perëndimi për të sterilizuar fëmijët myslimanë.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore