Lajme

Përjetësoi luftën e Kosovës, vdes fotografi i njohur amerikan


Edward Keating pasi ishte dhunuar në urën Brooklyn ku po raportonte një përleshje me bazë racore, 1991

Ai ishte aty gjatë luftës së Kosovës, kur u rrethua nga forcat serbe, për faktin se kaloi kufirin shqiptar, për të kapur një kënd më të mirë fotografie. Më pas, ai provoi të ikte nga ata për ta shkrepur një fotografi edhe më të mirë, në fushëbetejë, por u arrestua nën akuzën e tejkalimit të kufijve në mënyrë kriminale.

Fëmijët e Kosovës gjatë qëndrimit të tyre në Kukës, foto nga Edward Keating, 1999

Ai ishte aty – në New York – edhe më 11 shtator 2001. Në trotuar, i papërfillshëm për ngjarjen, po përjetësonte në aparatin e tij pamje që do të shënjonin historinë botërore.

E shoqja, Carrie, tha se ai vdiq nga kanceri, të cilin doktorët ua atribuuan tymrave toksikë që ai kishte thithur në rrëzë të World Trade Center, kur kullat binjake u sulmuan tragjikisht.

Edward Keating pranë rrënojave të kullave binjake, New York, 2001

Fitues i çmimit Pulitzer për fotografinë, pikërisht për këtë ngjarje, Edward Keating, një ndër fotoreporterët më të vlerësuar të epokës moderne, u shua në moshën 65-vjeçare.

Jo pak herë karriera e tij e gjatë, i pati hapur telashe. Ato në luftën e Kosovës, janë veç një grimcë e trashëgimisë që Keating i ka lënë botës.

Foto e shkrepur nga Edward Keating, ku shihen refugjatët kosovarë duke konsumuar një vakt pas mbërritjes në Kukës, 1999

Në fillimvitet ’90, ai po ndiqte disa ngjarje të dhunshme me sfond racor në urën e famshme të Brooklyn-it.

Ai nuk kishte një kontratë pune për atë që po bënte. Në atë kohë, një ndër të përditshmet më të mëdha amerikane, The New York Times, e pati punësuar që të shkrepte disa fotografi të asaj ngjarjeje.

I bërë shoshë nga protestuesit, Keating u dërgua në spital.

Edward Keating pasi ishte dhunuar në urën Brooklyn ku po raportonte një përleshje me bazë racore, 1991

Kryeredaktori i NYT në atë kohë, Max Frankel, i dërgoi në spital një shportë me fruta. Dy muaj më vonë, gazeta i ofroi atij një punë me kohë të plotë.

Pjesa e mbetur e jetës së tij si fotoreporter, do të ishte histori.

Goditja sociale

Jeta i rezervonte të gjitha në një qytet si New York-u. Keating do të shkrepte foto që nga më të rëndomtat, të çifteve duke u puthur jashtë operas Metropolitan, deri tek fotot që shpalosnin një realitet të hidhur të personave që drogoheshin në rrugicat e qytetit që s’fle kurrë.

Por, artin, Keating, e gjente aty ku jepeshin goditjet më të forta sociale. Për shembull, askush nuk do ta mendonte, se një set çajniku me filxhanë, do të kthehej në një imazh ikonik të tragjedisë së 11 shtatorit.

Seti i çajnikut me filxhanë, mbuluar nga hiri i kullave binjake, fotografuar nga Edward Keating, New York, 2001

Imazh, i cili e përjetësoi si fotografi që sillte klimaksin e një ngjarjeje shokuese për botën, tronditëse për shoqërinë dhe të paharrueshme për njerëzimit.

Ashtu si qypat e hirëzuar të Pompeiit, seti i çajnikut amerikan shprehu një imazh kontemporan të shkatërrimit, rrënimit dhe pikës më të ulët të një qytetërimi. Pikën e një goditjeje sociale të mirëfilltë, por jo të zëshme, të britshme.

Njeriu që sipas kolegëve, dukej si një jashtëtokësor që në vend të syve kishte lente fotografie dhe njëkohësisht, si dikush që mund të shiste “hot dog” në kryqëzimet e New York-ut.

Stisje, akuza dhe etikë e diskutueshme

Profesionalisht, Keating ka pasur gjithashtu probleme!

Figura e tij, ka qenë shpesh nën lupën e gazetarëve të tjerë, kolegëve, opinionit.

Në vitin 2002, një fotoreporter tjetër, e pati akuzuar Keating se ai kishte inskenuar një shkrepje të një djali të vogël, i cili po mbante në dorë një armë lodër në New York.

Keating kishte qenë aty së bashku me disa reporterë të tjerë. Një grup lokal banorësh të zonës, mendohej se ishin pjesë e grupimit terrorist të Al-Qaeda-s. Kohët në ato vite ishin të vështira dhe lufta ndaj grupit terrorist e madhe.

Por kolegët, Keating-un, e akuzuan se fotografia e djalit që ai pati shkrepur, nuk ishte spontane, por e inskenuar.

Faqe e gazetës “The New York Times” me fotografinë e pretenduar si të stisur, ku një fëmijë mban një armë në dorë

Një debat i madh u nxit në sferën publike.

Në një shënim të gjatë editorial në New York Times, u pranua se fotografia e shkrepur prej tij, ishte jo spontane. Keating nuk e pranoi akuzën. Për rivalët historikë, The Washington Post, ai komentoi se gjithçka ishte stisje dhe akuzat e pabaza.

Etika e tij u vu në dyshim. Puna gjithashtu. Por pak pas ngjarjes, ai e la detyrën për Times-in.

Eddie

Keating ishte veç një fëmijë kur i ati, Edward sr., vdiq për shkak të një arresti kardiak. Kur u bë adoleshent, e ëma vrau veten.

Barra e rritjes së tij me dy vëllezërit më të vegjël i ra Cynthia-s, të motrës. Ajo ishte në të njëzetat e saj dhe e sapo martuar.

Universiteti nuk qe i lehtë për të. Ato vite u karakterizuan nga një shfrenim në pirjen e alkoolit. Më 25 shtator 1977, ai e la alkoolin për të mos iu kthyer më asnjëherë vesit vdekatar.

Eddie – siç e njihte shoqëria – u përpoq sërish të rifillonte Universitetin. Mirëpo një borxh 400 dollarësh, e frymëzoi atë të ndiqte një tjetër rrugë.

Ai bleu asokohe një aparat “Ricoh” dhe filloi të mësonte si të fotografonte.

Një refugjate kosovare sajohet si mundet për tharjen e rrobave, foto e shkrepur nga Edward Keating, Kukës, 1999

Dashurinë e jetës së tij, Carrie-n, ai e takoi pikërisht prej fotografisë.

Dy vajzat e tij, janë pasuria më e madhe që ai lë pas. Ndërsa, fotografitë, trashëgimia më e madhe e mishëruar e një njeriu kompleksisht të thjeshtë.

Edward Keating, i fotografuar nga miku i tij fotograf Robert Frank

Jetën – atë artistike – e mbylli duke shkruar librin e tij fotografik, “Main Street: The lost gream of Route 66”.

Ky projekt 15-vjeçar i realizuar prej tij, ikonizonte rrugët më të fashme amerikane, ndër të cilat edhe atë 66, e cila lidh lindjen me perëndimin.

Si një i ri, ai preku fundin në një motel të lirë përgjatë 66-ës së famshme dhe provoi epifaninë e vetëshkatërrimit tërësor. Pikërisht aty, ai vendosi të hiqte dorë nga pija.

Në libër, një rresht i thjeshtë, përjetëson gjithçka ai jetoi:

“Ajo rrugë e mallkuar, e cila thuajse më shkatërroi, në një mënyrë, më shpëtoi!”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore