Përjashtimi i dinarit në Kosovë – fund i institucioneve paralele, fillim i Asociacionit

Ilustrim

Armat Matoshi
19.01.2024 7:30
Loading Icons...

Nga perspektiva e parë, njoftimi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) se nga 1 shkurti, euro do të jetë valutë e vetme për pagesat me para të gatshme në vend, mund të shihet si përpjekje për të justifikuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, kurse nga perspektiva e dytë, mund të shihet si përpjekje për të ndërprerë zinxhirin e institucioneve paralele serbe në veri.

Profesori i Shkencës Politike në Universitetin për Biznes dhe Teknologji (UBT) në Prishtinë, Dritëro Arifi, vlerëson se rregullorja mbi operacionet me para të gatshme, ku specifikohet se valuta e vetme që lejohet për kryerjen e pagesave është euro, nuk do të ndikojë në procesin e normalizimit tё marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por përkundrazi – do ta përshpejtojë procesin.

“Unë besoj që është një vendim politik, i cili nuk do ta pengojë dialogun, por përkundrazi. Kjo mund të jetë shtytje për ta bërë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe – pra nëse ne marrim diçka, duhet të japim diçka – në njëfarë mënyre, ky është një justifikim para publikut që do të përshpejtohet zbatimi i marrëveshjes”, konsideron profesori kosovar.

Në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe dinari serb. Në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – çmimet nëpër dyqane janë shënuar me dinarë. Viteve të fundit është praktikuar edhe importimi i dinarëve nga Serbia, por nga 1 janari kjo praktikë pritet të ndalet.

Ognjen Gogiç, politikolog serb, sugjeron se në radhë të parë, vendimi i fundit i BQK-së duhet të lexohet si përpjekje e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për ta shfuqizuar “paralelizmin institucional” që ekziston në masë të madhe në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, por që është i pranishëm edhe në zonat e tjera të banuara me serbë në jug të Ibrit.

“Para së gjithash, qëllimi është të arrihet një pasqyrë e plotë e lëvizjeve monetare në Kosovë. Së dyti, këto vendime do të detyrojnë kompanitë e hotelierisë dhe tregtisë në veri që përfundimisht të regjistrohen në sistemin e Kosovës. Së treti, në këtë mënyrë do të inicohet dialogu për integrimin e institucioneve arsimore dhe shëndetësore serbe”, nënvizon studiuesi serb.

Lista Serbe – forca më e madhe e serbëve në Kosovë – pretendoi se largimi i dinarit do të thotë “dëbim i serbëve pa përdorimin e armëve” nga Kosova, ndonëse zgjidhja është shumë e thjeshtë – nëse marrin dinarë nga buxheti i Serbisë, duhet t’i konvertojnë në euro. Këtë e shpjegoi edhe zëvendësministri kosovar, Besnik Bislimi, pas shqetësimeve të serbëve lokalë.

“Transparenca në import të valutave të huaja, konvertimi i tyre në euro dhe transferi te përfituesit finalë nuk ka asnjë mundësi të ndikojnë as në mbarëvajtjen e furnizimeve të përfituesve eventualë, as në zvogëlimin e fuqisë blerëse të tyre”, shkroi Bislimi të enjten pasdite, derisa shtoi se rregullorja e BQK-së “nuk është produkt i negociatave politike” në dialog.

Emisari Special i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, deklaroi se për përjashtimin e dinarit serb diskutoi edhe me zëvendëskryeministrin kosovar gjatë një takimi në Vienë të Austrisë dhe se për këtë njoftoi edhe lidershipin në BE, ndërsa shtoi se situata është duke u analizuar dhe se pret që BE-ja të dalë me një qëndrim të përbashkët.

Të fundit

Aktuale