Shqipëria

Periudha post-COVID/ Virusi “tinëzar” merr kohë rikuperimi


“Ankth, stres, frikë, kollë, ulje imuniteti apo vështirësi në frymëmarrje”.

Këto janë disa prej ankesave që dëgjohen nga personat, të cilët e kanë fituar betejen me COVID-19.

E keqja e “virusit”, thonë të prekurit, nuk kalon në periudhën kur je “i infektuar”, por e keqja më e madhe vjen më pas.

Sipas ekspertëve mjekësorë, që të rikuperohesh nga sëmundja “nevojitet kohë”.

Në Shqipëri, 169 mijë e 674 qytetarë e kanë fituar betejën me coronavirus-in, që nga fillimi i pandemisë, në bazë të të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale (MSHMS).

Ekspertët pohojnë se periudha post-COVID “kërkon vëmendje të veçantë”, ndaj “duhet të shoqërohet me kujdes mjekësor të vazhdueshëm”.

“Sjellja e SARS-CoV-2 nuk është protokollare”, shpjegon për Albanian Post ish-drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, mjeku Besnik Jakaj, pasi “tek individë të ndryshëm, ka sjellje të ndryshme”.

Ai e cilëson si “virus tinëzar”, i cili sulmon organet “ku individi ka dobësi”.

“Coronavirus-i gjen organin më të dobët në organizmin e njeriut dhe instalohet aty, duke dhënë dëmet e veta”.

Virusi COVID-19 shoqërohet me “temperaturë, djersë të ftohta, anoreksi, humbje të shijes dhe të nuhatjes”.

Por, mjeku Jakaj thotë se mund të ketë dhe “prekje kardiake, pulmonare, renale, të veshkave, të sistemit endokrin”. Kjo, në varësi të organizmit të individëve.

Pasojat

Mjeku Jakaj ka shpjeguar edhe pasojat që lë COVID-i në organizmin e njeriut.

“Sëmundja SARS-CoV-2 ndikon jashtëzakonisht shumë te psikologjia e pacientëve”, thotë ai.

I të njëjtit mendim është dhe infermieria e epidemiologjisë, M. Z., pranë spitalit të Lezhës.

Ajo tha se, problemet psikologjike, si “ankthi, stresi dhe frika”, “janë ndër pasojat më të theksuara” te personat që e kanë fituar betejën me COVID-in.

“Individët kanë vështirësi në frymëmarrje”, shprehet infermieria e epidemiologjisë, ndoshta nga fakti që “mushkëria është e lodhur”.

Ndonëse “virusi e ka humbur fuqinë e infektimit”, sërish pacientët në fazën e post-COVID “janë me imunitet të dobët”. “Kjo sjell më shumë mundësi ekspozimi ndaj virozave sezonale”.

Te virozat e stinës e vuri theksin dhe eksperti i mjekësisë.

Ai shprehet se “në kohë të ndryshme, viroza të ndryshme japin shenja të njëjta me ato të COVID-it”.

Kurse për pacientët, të cilët kanë pasur probleme të sistemit kardiovaskular, “pasojat kanë qenë të gjata” dhe “nuk e kanë marrë veten”.

Grupmosha më e prekur

Janë qytetarët e moshës së tretë “më të prekurit nga ky virus”.

Këtë e pohojnë studimet ndërkombëtare, shifrat e rasteve të fataliteteve, por edhe ekspertët tanë për Albanian Post.

Jakaj ka vijuar me analizën mjekësore, duke theksuar se mosha e tretë dhe të sëmurët kronikë “e kanë më të vështirë” rigjenerimin ndaj kësaj sëmundjeje.

“Tek të rinjtë nuk mbetën pasoja”, tha ai, por mund të shoqërohet me anoreksi.

COVID-19 ka nxjerrë në pah shëndetin mendor, si “një rrezik të rëndësishëm” i cili po zhvillohet me tej, e me të cilin po përballen adoleshentët edhe në Shqipëri.

Sipas raportit të publikuar nga UNICEF, “kur fëmijët përjetojnë fatkeqësi të forta, të shpeshta ose të zgjatura pa mbështetjen e duhur të ndonjë specialisti, mund të ketë pasoja negative serioze dhe të qëndrueshme në zhvillimin kognitiv dhe rregullimin emocional.

Çfarë sugjerojnë mjekët

Specialisti Jakaj ka sugjeruar që, pacientët, të cilët e kanë kaluar COVID-in, “duhet të jenë në monitorim të vazhdueshëm nga mjeku, për të paktën dy ose tri vite”.

“Duhet medoemos mbikëqyrje nga mjeku, në mënyrë specifike te pacientët me sëmundje kronike”, tha ai, duke sugjeruar që “monitorimi të shoqërohet me analiza biokimike ose radiologjike”.

 

Kjo për të parë ndryshimet e mundshme, për përkeqësimin e sëmundjes kronike dhe për të bërë një diagnozë diferenciale, nëse janë pasoja që kanë ardhur nga COVID-i apo nga një grip i stinës.

Ndërsa infermierja M. Z. sugjeron një dietë të mirë ushqimore, duke marrë vitaminat bazë për rigjenerimin e imunitetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore