
Inter-i po përgatitet t’i japë lamtumirën lojtarit kroat, Ivan Perisic-it, në fund të sezonit. Në vend të tij, zikaltrit kanë piketuar lojtarin e Eintracht Frankfurt-it, Filip Kostic-in.
32-vjeçari Perisic, po shkon drejt përfundimit të kontratës në “Giuseppe Meazza”. Duke parë moshën e tij, Inter-i nuk dëshiron t’i ofrojë një kontratë të re, sipas raportimeve që vijnë nga e përditshmja italiane “Sport Mediaset”.

Në fund të sezonit ai do të largohet. Borussia Dortmund-i dhe Wolfsburg-u janë dy skuadrat e interesuara për shërbimet e tij. Skuadra me të cilat Perisic-i është aktivizuar më herët.
Po raporti i “Sport Mediaset”-it thotë se zëvendësuesi i Perisic-it do të jetë Kostic-i. 29-vjeçarit serb do i ofrohet kontratë tre-vjeçare me 2.5 milionë euro në sezon. Për Eintracht-in do të shkojnë 10 milionë euro plus bonuse.
Anësori serb mund të mbërrij në Milano që në janar, nëse zikaltrit arrijnë të shesin mesfushorin, Matias Vecino-n.
Alessandro Lucci, agjenti i Kostic-it, i ka siguruar Inter-it deri më tani katër lojtarë. Bëhet fjalë për Edin Dzeko-n, Joaquin Correa-n, Aleksandar Kolarov-in dhe Vecino-n.
Perisic numëron 220 paraqitje me Inter-in. Ai ka shënuar 48 gola dhe ka dhuruar 41 asiste. Në krahun tjetër, Kostic-i, numëron 141 paraqitje me gjermanët, nga ku ka shënuar 29 gola dhe ka dhuruar 53 asiste.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com