Lajme

Përgjigja për Serbinë – Libia s’e ka ç’njohur Kosovën  


Agron Bajrami dhe Amel Jerary

Ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, këtë të mërkurë është takuar me ambasadoren e Libisë në Belgjikë, Amel Jerary, në Bruksel.

Aleksandër Vuçiç, presidenti i Serbisë, javë më parë kishte pretenduar se nëntë shtete, kryesisht nga Afrika, tashmë kanë ndryshuar pozicion në raport shtetësinë e Kosovës.

Njëri ndër shtetet në “Listën e Vuçiç’it”, ishte edhe Libia.

Megjithatë sipas ambasadorit Bajrami, në diskutim e sipër me homologen e tij nga Libia, është konstatuar nevoja për thellimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Libisë.

“Diskutim dhe mirëkuptim i madh me ambasadoren e Libisë. Shkëmbyem mendime mbi situatat aktuale në vendet tona dhe rëndësinë e stabiliteti dhe demokracisë për paqen dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe Magrebit. U dakordum për nevojën e thellimit të marrëdhënieve Kosovë-Libi”, ka shkruar ambasadori Bajrami.

Ditëve të fundit diplomacia kosovare është aktivizuar, pas pretendimit të Vuçiç, se tashmë Serbia ka arritur t’i bindë nëntë shtete për ndryshim pozicionesh në raport me pavarësinë e Kosovës.

Ambasadori i Republikës Federale të Somalisë në Turqi, Jama Mohamed, të martën ishte takuar me ambasadorin e Kosovës në Turqi, Agon Vrenezi, kishte njoftuar Mohamed në rrjetin e tij social në Twitter.

Edhe Somalia ishte njëri ndër shtetet, që sipas pretendimeve të Vuçiç, e ka çnjohur pavarësinë e Kosovës.

Por, sipas ambasadorit somalez, me ambasadorin Vrenezi, të martën, kishin pasur një diskutim mjaftë produktiv në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.

“I nderuar që prita ambasadorin Agron Vrenezi, ambasador i Kosovës në Turqi. Ne patëm një diskutim produktiv për forcimin e raporteve tona bilaterale, shkëmbyem informacione dhe pikëpamje rreth çështjeve aktuale në rajon”, ka shkruar ambasadori somalez, Jama Mohamed.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore