Lajme

Përgënjeshtrimi nga EULEX – Petkoviç s’e ndal propagandën: Në radhët e Policisë së Kosovës ka pasur vrasës me pagesë


Petar Petkoviç

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, në një konferencë për media të hënën në Beograd, ka thënë sërish se Misioni i Bashkimit Evropian (BE) për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), nuk është lejuar që të marrë pjesë në operacionin policor më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit të banuar me shumicë serbe.

EULEX-i para disa ditëve i ka hedhur poshtë pretendimet e zyrtarëve serbë, por korrieri kryesor i propagandës ka insistuar se misioni i BE-së nuk dëshiron të vërtetohet, siç ka deklaruar ai, mundësia që në radhët e Policisë së Kosovës më 24 shtator ka pasur “vrasës me pagesë” që, sipas tij, dëshmohet edhe nga mos-lejimi që EULEX-i të marrë pjesë në hetime.

“Ata duan të mbulojnë se serbët janë vrarë pa dallim. Ata nuk duan të vërtetohet se në radhët e Policisë së Kosovës ka pasur vrasës me pagesë të cilët kanë ardhur nga kampe të ndryshme terroriste me qëllim që të vrasin të gjithë serbët. Deri më sot nuk kemi marrë përgjigje nga EULEX-i”, ka pretenduar Petkoviçi ndër të tjera.

Ventrikoluisti i propagandës serbe më pas ka zbuluar një fotografi që, sipas tij, tregon se njëri nga tre terroristët e vrarë në Banjskë të Zveçanit – Bojan Mijailoviç – pas plagosjes dhe dorëzimit është “ekzekutuar” nga Policia e Kosovës, derisa ka akuzuar autoritetet kosovare për “falsifikim” të fakteve lidhur me operacionin policor anti-terror.

“Ajo që kanë thënë patologët serbë, meqë EULEX-i dhe Policia e Kosovës ua ndaluan ekspertëve që të marrin pjesë në autopsi, plaga hyrëse tregon se ai është vrarë duke qenë i shtrirë në shpinë. Këmba e tij e djathtë është në një pozicion të parregullt, gjë që tregon qartë se ai është plagosur fillimisht dhe se ekzekutimi është kryer pastaj”.

EULEX- ka bërë me dije javën e kaluar se kanë monitoruar nga afër operacionin policor dhe kanë qenë në kontakt të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin paqeruajtës të NATO-s (KFOR), duke hedhur poshtë pretendimet e autoriteteve serbe në lidhje me sulmin terrorist në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit, ku u vra një rreshter i Policisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore