Shqipëria

Përfundon trajnimi për 28 hetuesit e BKH-së


Ka përfunduar ditën e sotme më 6 gusht trajnimi për 28 hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Ata do të fillojnë zyrtarisht punën të hënën e 9 gushtit.

Në ceremoninë e dorëzimit të detyrës ishin të pranishëm kreu i SPAK-ut, Arben Kraja, si dhe drejtuesja e BKH-së, Aida Hajnaj.

Ecuria e përzgjedhjes

Komisioni i Përzgjedhjes në BKH ka mbyllur më 1 gusht fazën e intervistës dhe përzgjedhjes së kandidatëve për hetues në fazat e mëtejshme të konkurrimit.

Në qershor, BKH-ja mbylli procesin e Testimit për Aftësitë Fizike, për kandidatët “hetues”.

“Nga 325 kandidatë pjesëmarrës, u kualifikuan 210 kandidatë dhe 115 kandidatë nuk kaluan në fazën tjetër”, njofton BKH-ja.

Testimi i Aftësive Fizike u zhvillua nën vëzhgimin dhe monitorimin e Komisionit Ndërkombëtar të Ekspertëve, caktuar nga misionet e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Kandidatët e kualifikuar, më datë 15 qershor 2021, iu nënshtruan testit të esesë me shkrim.

BKH-ja e shpalli garën për 32 hetues në këtë institucion më 6 prill.

Kandidatët e kualifikuar iu nënshtruan një sërë modulesh vlerësimi dhe trajnimesh që duhen kryer përpara se të certifikohen.

“Rrugëtimi i tyre filloi me procesin e përzgjedhjes gjatë muajit tetor 2020 dhe ka përfshirë teste të logjikës së arsyetimit, testin fizik, hartimin e esesë, intervistën e strukturuar, si dhe një verifikim të gjerë të figurës”, shkruhet në njoftimin e SPAK-ut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore