Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se do të analizohen rrethanat për të caktuar datën e zgjedhjeve.
Osmani, pas takimit me liderët e partive politike ka thënë se data akoma s’është caktuar.
“U pajtuam ta bëjmë analizën e të gjitha datave dhe elementëve përkatëse që edhe ta bëjmë publike datën. Ky vendim akoma nuk është marrë, pasi do ta bëjmë analizën e rrethanave do ta vendosim datën. Nuk kishte ndonjë çështje tjetër që u diskutua”, tha ajo.
E para e shtetit u shpreh se partitë kishin preferenca të ndryshme sa i përket datës për mbajtjen e zgjedhjeve.
“Nuk kishte insistim të tepërt nga partitë, kishte më shumë preferenca. Disa parti preferuan 26 janarin, ka tri a katër të tjera që preferuan 9 shkurtin, dy a tri tjera 16 shkurtin. Dhe kishte parti të tjera që nuk kishin fare preferenca”.
Sipas afateve të përcaktuara me legjislacionin në fuqi, Kosova mund të mbajë zgjedhje të rregullta më 26 janar, 2, 9 dhe 16 shkurt.
Ajo është takuar me krerët e partive poltiike – Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë marrë pjesë në takimin konsultativ të thirrur nga presidentja.
Ndërsa, nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, Osmani nuk e ka pranuar në takim kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca, pasi sipas saj ky takim është thirrur për krerët e partive politike.
Ndërsa, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, pas takimit ka thënë se dëshiron që zgjedhjet të mbahen më 26 janar.
Ngjashëm është deklaruar edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Në bazë të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë, cikli i ri elektoral më së afërmi do të mund të mbahet më 26 janar ndërsa më së voni më 16 shkurt 2025, përkatësisht 30 ditë para përfundimit të mandatit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga 14 shkurti i vitit 2021.
Partitë politike veçse kanë filluar të mobilizohen për shkak se mandati i ekzekutivit aktual nën drejtimin e LVV-së përfundon në fillim të vitit të ardhshëm.
Përkundër që partitë politike opozitare kanë shprehur gatishmëri për zgjedhje të parakohshme gjatë verës, nuk ka pasur konsensus në mesin e subjekteve poltike për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
Zgjedhjet e fundit nacionale ishin mbajtur më 14 shkurt të 2021-së, ku Lëvizja Vetëvendosje kishte dalur e para me më shumë se 50 për qind të votave.
Partia e dytë ishte PDK-ja, e treta LDK-ja, kurse e katërta AAK-ja.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com