Lajme

Përfundon rundi i parë i takimit Kurti – Vuçiç, liderët do të takohen sërish gjatë ditës


Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç

Në Bruksel ka përfunduar rundi i parë i takimit trepalësh midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Siç mëson Radio Evropa e Lirë do të ketë takime dypalëshe midis liderëve të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësuesit e BE-së, me qëllim që liderët të takohen sërish gjatë ditës.

Në ndërtesën e BE-së ku po zhvillohet dialogu ka arritur edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Kujtojmë se pala amerikane nuk merr pjesë në dialog, por SHBA-ja mbështet plotësisht përpjekjet e BE-së në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Albin Kurti, kryeministri i Kosovës dhe Aleksandër Vuçiç, presidenti i Serbisë, në mëngjesin e ditës së enjte janë takuar ndarazi me Përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.

Kështu të paktën ka njoftuar vetë Borrell, përmes një statusi në rrjetin e tij social në Twitter.

Borrell në njoftimin e postuar në Twitter ka shkruar se nga takimi i sotshëm pret që Kurti dhe Vuçiç të gjejnë një gjuhë të përbashkët.

“Tensionet e fundit në veri të Kosovës kanë treguar sërish se është koha për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë. Unë pres që të dy udhëheqësit të jenë të hapur dhe fleksibël për të gjetur gjuhën e përbashkët”, ka shkruar Borrell.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore