Shqipëria

Përfundon ministeriali i NATO-s, diskutime mbi KFOR-in dhe Ballkanin Perëndimor


Delegacioni i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë në NATO bëri me dije të premten e 13 tetorit se përfunduan takimet dyditore të ministrave të Mbrojtjes.

“Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s përfunduan dy ditë takimesh në Bruksel më 12 tetor 2023. Diskutimet e ministrave të Mbrojtjes u fokusuan në parandalimin dhe mbrojtjen, misionet dhe operacionet tona, KFOR-in, Ballkanin Perëndimor dhe Ukrainën. Aleatët dënuan me forcë sulmet e pambrojtura dhe të tmerrshme të Hamasit ndaj Izraelit”, njofton misioni diplomatik.

Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi shprehu angazhimin e vendit tonë për zbatimin e vendimeve të marra në Samitin e Vilnus-it mbi zhvillimin e planeve rajonale dhe strukturën e re të forcave.

Gjithashtu theksoi rëndësinë që ka realizimi i të gjithë familjes së planeve të shkurajimit dhe mbrojtjes, për të garantuar Aleancën nga kërcënimet e mundshme.

Sipas ministrit Peleshi, Shqipëria ka një vullnet politik të qartë dhe do të vijojë të mbështesë me një qasje gjithëpërfshirëse masat për forcimin e deterencës dhe mbrojtjes, duke rritur edhe më tej kontributin në operacione dhe në misione si në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Irak, në Vigjilencën e Përforcuar të NATO-s në Bullgari, Rumani dhe në detin Mesdhe.

Duke u fokusuar në situatën mbi Ballkanin Perëndimor, ministri Peleshi gjatë fjalës së tij dënoi me ashpërsi sulmin e sofistikuar terrorist në veri të Kosovës, si një tentativë për destabilizimin e rajonit.

“Reagimi i Beogradit duke heroizuar sulmuesit e 24 shtatorit në Banjska si dhe dërgimi i trupave dhe kapaciteteve ushtarake afër kufijve të Kosovës janë ngjarje të papranueshme dhe të dënueshme, prandaj BE-ja veçanërisht duhet të mbajë një qëndrim të prerë ndaj akteve të tilla dhe të shprehet hapur ndaj qeverisë serbe”.

Peleshi theksoi se vendi ynë mbështet plotësisht mandatin e KFOR-it dhe është i angazhuar intensivisht me aleatët për të parandaluar një përshkallëzim të situatës, duke kontribuuar në të njëjtën kohë për lehtësimin e dialogut Prishtinë-Beograd.

Gjithsesi, sipas ministrit Peleshi, shikohet si e nevojshme një vendimmarrje politike për të përmirësuar dhe maksimizuar angazhimin e KFOR-it në Kosovë duke përmirësuar bashkëpunimin me palët kryesore të interesuara.

“KFOR duhet të intensifikojë patrullimet përgjatë kufirit Kosovë-Serbi në sinkronizim me Policinë e Kosovës, e cila mbetet reaguesi parë i sigurisë në tërë territorin e Kosovës, si dhe me EULEX-in”.

Në vëmendje të ministerialit të Ministrave të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s ishte edhe mbështetja e palëkundur për Ukrainën, në përpjekjet e saj kundër agresionit rus.

Aleatët shprehën solidaritetin e tyre me Izraelin, duke dënuar njëzëri sulmet, pengmarrjen dhe vrasjen e civilëve për shkak të sulmeve të Hamasit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore