Policia e Kosovës, ka përfunduar intervistimin e bashkëshortes së Milan Radojiçiçit, organizatorit të sulmit terrorist në Banjë më 24 shtator.
Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, për rajonin e Veriut, Veton Elshani.
“Po, ka përfunduar intervistimi dhe është liruar pas intervistimit”, ka thënë Elshani për AP.
Elshani, gjatë ditës kishte konfirmuar lajmin se bashëshortja e Radojiçiçit, është duke u intervistuar.
“Konfirmojmë se në Mitrovicë të Veriut është duke u intervistuar ky person në prani të avokatit me ftesë të Krimeve Ekonomike në Prishtinë”, deklaroi Elshani për Albanian Post.
Më 4 prill, Policia e Kosovës, kishte konfiskuar një banesë dhe një restorant që kanë qenë në pronësi të Milan Radojiçiç-it në Veri i cili është edhe përgjegjësi i sulmit në Banjë të Zveçanit, më 24 shtator ku mbeti i vdekur rreshteri tashmë i shpallur hero nga institucionet e Kosovës, Afrim Bunjaku.
Më 3 prill, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se dikasteri të cilën ajo e drejton, përmes zyrtarëve të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, kanë nisur zbatimin e Urdhrit Ndalues përfundimtar me masë të përkohshme, lidhur me pasuritë e paluajtshme të terroristëve të cilët janë të përfshirë në rastin e sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit më 24 shtator të vitit të kaluar.
Agjencia, sipas saj, ka filluar identifikimin e pasurive të përmendura në Urdhrin Ndalues, duke përfshirë edhe vilën e Radojiçiç-it tek Liqeni i Ujmanit në Zubin Potok dhe pasuritë e tjera.
Një grup i armatosur më 24 shtator, kishte sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku.
Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.
Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas.
Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.
Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.
Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.
Ky veprim i Serbisë nxiti reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët kërkuan që menjëherë të zvogëlohet numri i trupave ushtarake. Pas këtyre thirrjeve të qarta të ndërkombëtarëve, Beogradi njoftoi se ka filluar reduktimin e trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.