Lajme

Përfundon afati për certifikim të partive në zgjedhjet për Kuvendin Komunal të Zveçanit dhe Leposaviqit


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ),

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka njoftuar se ka përfunduar afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin Komunal te Zveçanit dhe Leposaviqit, të cilat do të mbahen më 25 dhjetor të 2022.

KQZ përmes një komunikate për media ka njoftuar edhe numrin e aplikimeve deri të premten e 2 dhjetorit.

“Gjatë kësaj periudhe (26 nëntor – 02 dhjetor 2022), Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar 2 aplikime për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje për komunën e Zveçanit dhe 3 për komunën e Leposaviqit”.

“Sipas afateve të miratuara nga KQZ-ja, procesi i vendimmarrjes për certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve do të ndodhë deri më 6 dhjetor 2022”, thuhet në komunikatë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte caktuar të dielën e 25 dhjetorit si ditë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin Komunal të Zveçanit dhe atë të Leposaviqit.

Osmani ka ftuar subjektet politike për fushatë të qetë, pa tensione, duke respektuar Kodin Elektoral dhe rivalët politikë.

Komisioni Qendror Zgjedhor në Kosovë, kishte dhënë afat 4 ditë shtesë subjekteve politike dhe kandidatëve për certifikim për zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat me shumicë serbe në Veri të Kosovës, që do të mbahen më 18 dhjetor.

Afati fillestar për procesin e aplikimit ishte caktuar deri më 21 nëntor, por i njëjti ishte shtyrë deri më 25 nëntor pasi për këto zgjedhje KQZ-ja kishte pranuar vetëm dy aplikime për certifikim – nga Partia Demokratike e Kosovës për të katër komunat dhe nga iniciativa Qytetare Mitrovica për zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut.

Partitë serbe në Kosovë fillimisht kishin deklaruar se për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për kryetarë të katër komunave me shumicë serbe në Veri të Kosovës, të shpallura nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk ekzistojnë as kushtet elementare në terren dhe për këtë arsye të njëjtit kishin refuzuar të participojnë në këtë proces demokratik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore