Shqipëria

Përfundojnë takimet mes mazhorancës dhe dy grupeve opozitare, presidenti “konsensual” në shina


Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, foli për mediat pas takimit që zhvilloi me krerët e dy Grupeve të tjera Parlamentare, duke deklaruar se janë bërë hapa para për sa u përket emrave konkretë për presidentin e ri.

Gjithashtu, ai tha se ky takim ka dëshmuar gatishmërinë që ka PS-ja për të vijuar me procesin e zgjedhjes së presidentit.

Balla shpjegoi edhe se “nga dy grupet parlamentare ka patur gatishmëri për të hedhur në tavolinën e bisedimeve emra konkretë”.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së i bëri thirrje edhe Grupit Parlamentar të PD-së të tregohen korrekt me kohën, sepse afati i fundit i propozimeve të kandidatëve për president po afron.

“Disponibiliteti është për t’i dhënë një president të të gjithë shqiptarëve, por ka disa afate, nuk kemi më mundësi të shtyjmë afatet. Më 16 është afati i parë, ndërsa afati i fundit është data 23 maj”.

“Janë disa biseda shumë të frytshme, sot më në fund kemi arritur të vendosim piketa dhe shina të një procesi që mund të na çojë te një president sa më konsensual. Ne nuk duam ta vrasim procesin, kjo do të ishte kundërshti e asaj që po flasim. Kemi rënë dakord që të ulemi në vijim”, përfundoi Balla.

Mediu për presidentin e ri

Më herët, kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ndryshim, Fatmir Mediu, në një deklaratë pas takimit me Ballën, për sa i përket zgjedhjes së presidentit të ri, tha se pa pasur dakordësi me opozitën, nuk mund të ketë me mazhorancën.

“Siç e shoh, procesi nuk do të ketë kandidat ditën e hënë. Është absurde që politika të përjashtojë politikën. Mendoj se ka njerëz, të cilët kanë kontribute në interes të kombit. Duhet të jemi sa më të gjerë në pikëpamjen e fushave ku do zgjidhet. Qëndrimi ynë është dakordësi me opozitën për të shkuar te dakordësia me mazhorancën”.

Presideni konsensual i Idrizit

Pas takimit me Ballën foli edhe kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), Shpëtim Idrizi, i cili tha se presidenti i ri duhet të ketë eksperiencë politike.

Idrizi theksoi se kanë rënë dakord me mazhorancën që presidenti të zgjidhet sipas parimeve Kushtetuese, ku rol të ketë edhe opozita.

“Është detyrim kushtetues në mënyrën se si sillet Presidenti që, në tri raundet e para, duhet për konsensus. Shqiptarët kanë nevojë për president konsensual. Theksuam që Presidenti i Republikës duhet të jetë një preson me eksperiencë politike”.

Ai theksoi se ka kanë rënë dakord që kemi hyrë në proces kushtetues.

“Shqiptarët kanë nevojë që të fokusohemi në emra konkretë. Sigurisht në këtë proces janë shumë palë, është proces parlamentar. Duhet të bashkohemi te figura. Patëm dakordësi me deputetët e PS-së”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore