Lajme

Përfaqësuesit e Listës Serbe: Të lejohet referendumi, Brukseli të kalojë nga fjalët në vepra – mund të ketë tensione


Lista Serbe

Përfaqësuesit e Listës Serbe pas një takimi të gjatë të premten me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, kanë dalur në konferencë për media duke thënë se ata duan plotësim të kërkesës së tyre për të votuar në Referendumin për ndryshime kushtetuese të Serbisë dhe se i takon Bashkimit Evropian që të sigurojë këtë mundësi.

Kryetari i kësaj liste, Goran Rakiç, pohoi se “të dielën (ditën e referendumit) BE-ja do të tregojë fytyrën e saj të vërtetë, nëse janë për anëtarësimin e Serbisë në Bashkim apo është thjesht një histori boshe”.

“Prandaj përgjegjësia e BE-së është më e madhe, Brukseli duhet të kalojë nga fjalët në vepra. Serbët që jetojnë në Kosovë nuk kërkojnë gjë tjetër veçse të drejtat elementare të njeriut për t’u deklaruar, për të votuar dhe për t’u zgjedhur”.

Në fakt serbëve të Kosovës, që janë shtetas edhe të Serbisë, nuk u është ndaluar të votojnë, ata mund ta bëjnë këtë përmes postes dhe gjithashtu edhe përmes zyrë ndërlidhëse në Prishtinë.

Çfarë nuk po lejohet është organizimi i referendumit të një shteti në një shtet tjetër, çka do të përbënte shkelje flagrante të sovranitetit. Prandaj Qeveria e Kosovës, mbështetur edhe nga institucione të tjera dhe opozita, nuk po lejon mbajtjen e këtij referendumi.

Goran Rakiç

Përkundër kësaj Rakiç është shprehur i revoltuar, derisa shpresat për mbajtjen e Referendumit i ka vënë në Bashkimin Evropian.

“Nëse i kërkojnë Kurtit dhe autoriteteve të Prishtinës referendumin, por nuk e lejojnë, atëherë pyetja është se çfarë do të bëjë Brukseli më pas? Deri më tani BE-ja ka heshtur. Tani po bëjnë thirrje për referendum. Do të shohim se çfarë do të bëjë dhe pas kësaj do të bëjmë lëvizje të tjera”.

Pos Rakiçit, ka folur edhe nënkryetar i Listës Serbe, Dalibor Jevtiç. Ai ka përmendur mundësinë e tensionimit të situatës këtë të diel, kur serbët do të duan të votojnë në referendum dhe autoritetet e Kosovës nuk do të lejojnë diçka të tillë.

“Pamundësia e mbajtjes së referendumit do të jetë diçka që do të krijojë edhe tensione që nuk janë të nevojshme. Për këtë arsye përgjegjësia është e përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare dhe ne presim përgjigjen e tyre dhe hapin e radhës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore