Kosova

Përfaqësuesi i Rusisë në OKB: Sulmi në Banjë po ekzagjerohet, ka përpjekje për t’ia hedhur fajin Beogradit


Përfaqësuesi i Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Vasily Nebenzy

Përfaqësuesi i Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Vasily Nebenzy, i është kundërpërgjigjur presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, pasi kjo e fundit theksoi se më 24 shtator, Serbia kishte tentuar “një aneksim të veriut të Kosovës në stil të Krimesë”.

“Dëgjuam qëndrimet e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, sidomos u befasuam me përpjekjet e ngathëta për ta sjell edhe Rusinë brenda asaj që ndodhi në Kosovë”, tha ai gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën.

Nebenzy ka pretenduar se sulmi ndaj Policisë së Kosovës në Banjë më 24 shtator, “po ekzagjerohet”, pasi sipas tij, duhet të pritur rezultatet e hetimit.

“Incidenti në Banjë më 24 shtator po ekzagjerohet, tre serbë kanë vdekur dhe një polic kosovar. Ka shumë pyetje si ka ndodhur. Është quajtur akt terrorist, ende pa u pritur rezultatet e hetimit. Polici ka vdekur nga një eksplodim dhe serbët janë vrarë pasi ishin dorëzuar. Ka përpjekje për t’ia hedhur fajin Beogradit”, shtoi ai.

Gjithashtu, ai ka pretenduar se “situata në Kosovë është përkeqësuar” dhe ka arrestime të përditshme të serbëve dhe frikësim të tyre.

“Qeveria ka ndërmarrë më shumë se 20 sulme ndaj serbëve. Është ndaluar importi i mallrave nga Serbia dhe kjo kontribuon në kasafortën humanitare”, ka pretenduar diplomati rus.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se më 24 shtator, Serbia kishte tentuar “një aneksim të veriut të Kosovës në stil të Krimesë”, por këtë sipas Osmanit ia pamundësuan Policia të cilët e mbrojtën integritetin territorial të vendit.

“Kosova ishte cak i një akti të një agresioni nga Serbia dhe i grupeve terroriste paramilitare. Sot dua ta shfrytëzojë momentin për ta nderuar Heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku i cili humbi jetën duke e mbrojtur integritetin territorial të Kosovës. Serbia deshi ta shihte Kosovën se si bëhej si Krimea, por u zu në befasi për shkak të përkushtimit të Policisë së Kosovës”, tha Osmani.

Që nga miratimi i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 10 qershor 1999, ky organ ka diskutuar për Kosovën katër herë në vit deri në vitin 2018.

Në vitin 2019 janë mbajtur tri seanca të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, ndërsa nga viti 2020 mbahen nga dy seanca në vit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore