Lajme

Perez: Spanja njohu pasaportën e Kosovës për të testuar ujërat – një skenar potencial përfshin hapjen e kanaleve diplomatike


Ilustrim

Alejandro Esteso Perez, njohës i zhvillimeve politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, në një artikull të fundit kushtuar vendimit të Spanjës për njohjen e pasaportës së Kosovës, duke mundësuar lëvizjen e lirë të kosovarëve pa viza edhe në këtë shtet, shkruan mbi trajektoren potenciale të raporteve midis Spanjës dhe Kosovës pas njohjes së pasaportave.

Në radhë të parë, shkruan studiuesi spanjoll, skenari numër një përfshin mundësinë që Spanja do të vazhdojë të ndjekë qasje të paangazhuar dhe antagoniste ndaj Kosovës pavarësisht njohjes së pasaportës kosovare. Perez konsideron se vendimi për njohjen e pasaportës së Kosovës u mor nga Qeveria e Spanjës për arsye teknike, operacionale dhe diplomatike.

“Në fund të fundit, qeveria spanjolle përllogariti se mosnjohja e pasaportave nuk do të sjellë ndonjë përfitim të veçantë”, vlerëson Perez, duke shtuar se refuzimi i Spanjës për t’i njohur pasaportat e Kosovës mund të dëmtonte më tej besueshmërinë dhe konstruktivitetin e autoriteteve spanjolle përballë dialogut Kosovë-Serbi – dhe drejt lirisë së lëvizjes në përgjithësi.

Perez në skenarin e dytë parasheh që Spanja do të dëshirojë të ndërtojë marrëdhenie dhe të përcjellë shenja të mëtejshme të afrimit me Kosovën. Megjithatë, kjo hipotezë bazohet në të njëjtin arsyetim sikurse skenari i parë, domethënë se tarifa teknike dhe operacionale për Spanjën reth mosnjohjes së pasaportës do të kishte qenë më e kushtueshme – dhe sigurisht e gabuar.

“Ky skenar, megjithatë, konsideron se vendimi u përdor në mënyrë strategjike si një subjekt eksperimental për të testuar ujërat në të gjithë opinionin e brendshëm politik dhe publik spanjoll në përgatitje për hapa të mëtejshëm të mundshëm – ndoshta përmes hapjes së kanaleve diplomatike (joformale) dypalëshe”, shkruan ndër të tjera studiuesi spanjoll.

E skenari i tretë, por aktualisht i pamundur, përfshin mundësinë që Spanja ta deklarojë zyrtarisht njohjen e plotë dhe të pakushtëzuar të Kosovës. Duke pasur parasysh se Spanja është një nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) që nuk e njeh pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, shanset janë tepër të ulëta që ky skenar të realizohet në të ardhmen.

“Shanset janë të ulëta që kjo të ndodhë qoftë në afat të shkurtër apo afatgjatë, veçanërisht duke pasur parasysh narrativën historike të Spanjës për refuzimin e shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare dhe duke marrë parasysh argumentin e përsëritur se një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës duhet të jetë përpara çdo hapi drejt njohjes”.

Pranimi i pasaportës së Kosovës – vendim praktik i Spanjës, por shumë pak gjasa të ndodhë njohja e plotë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore