Përdorimi i internetit nga celularët arriti rekord të ri në tremujorin e parë të 2022-shit

Trafiku i internetit nga rrjetet celulare u rrit me pothuajse 42% në tremujorin e parë të vitit 2022, krahasuar me të njëjtën periudhe të një viti më parë.
Të dhënat e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) tregojnë se trafiku total i të dhënave arriti në 44.5 milionë Gigabyte (GB).
Gjatë tremujorit të parë të këtij viti, një përdorues mesatar shpenzoi 7.22 GB internet në muaj, me një rritje prej 40.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas të dhënave nga AKEP, për tremujorin e parë numëroheshin afërsisht 2.06 milionë përdorues të internetit me nga rrjetet celulare, 1.3% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Statistikat në vitet e fundit tregojnë se shërbimi i internetit po fiton gjithnjë e më shumë peshë në biznesin e operatorëve celularë.
Hapësirat e krijuara nga teknologjitë që mundësojnë transmetim të dhënash me shpejtësi të lartë (3G/4G) e kanë ndryshuar në mënyrë rrënjësore përdorimin e telefonave celularë dhe të shërbimeve që operatorët ofrojnë.
Përdorimi i internetit po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt mobilitetit, duke përfshirë informacionin argëtimin, përdorimin e rrjeteve sociale, por edhe platformat e komunikimit.
Në një masë të madhe, aplikacionet e komunikimit të bazuara tek interneti po zëvendësojnë edhe komunikimin direkt nëpërmjet rrjeteve celulare.
Me rritjen e peshës së internetit në strukturën e shërbimeve celulare, cilësia e tij po bëhet gjithmonë një element përcaktues në konkurrencën drejt operatorëve.
Kjo mund të vërehet qartë edhe në orientimin e fushatave të marketingut.

“Tashmë, operatorët nuk vendosin theksin vetëm tek leverdia e çmimeve që ofrojnë, por mbi të gjitha tek cilësia e rrjetit dhe shpejtësia e shërbimit të internetit. Investimet në këtë drejtim po bëhen përcaktuese për të fituar më shumë përdorues”, shkruan revista Monitor, përcjell Albanian Post..
Shifrat e AKEP për tremujorin e parë të vitit treguan se operatori ONE ka vazhduar të fitojë terren në ndarjen e tregut sipas numrit të përdoruesve. ONE ishte i vetmi që raportoi një rritje të numrit të përdoruesve 3G/4G krahasuar me një vit më parë, me 15.3%. Tashmë ONE zotëron 41.3% të tregut të broadband, sipas numrit të përdoruesve.
Vodafone Albania ngelet operatori kryesues edhe për këtë tregues, por në rënie krahasuar me një vit më parë. Numri i përdoruesve broadband të Vodafone ka rënë me 6.8%, ndërsa pjesa e tregut ka rënë në 44.2% (një vit më parë ishte 48.1%).
Operatori i tretë, ALBtelecom, ka pësuar një rënie të mëtejshme të numrit të abonentëve me 6.2%. Mbulimi më i pakët me rrjet 4G dhe cilësia më e dobët e ofrimit të këtij shërbimi kanë qenë një faktor që e ka keqësuar më tej pozicionimin e ALBtelecom Mobile në treg gjatë viteve të fundit. Megjithatë, këtë vit pritet që ALBtelecom të nisë procesin e shkrirjes me ONE Telecommunications, pasi në fillim të vitit të dyja kompanitë u blenë nga hungarezët e 4iG.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.comLajmet kryesore
-
Si iu dha fund digave në Parkun Kombëtar të Vjosës?
-
Çfarë simbolizon 22 marsi i 1992-it?
-
“Beogradi një gjë, Prishtina një tjetër – askush nga serbët në Kosovë s’e ka të qartë çfarë marrëveshje u arrit” – Intervistë me politologun serb nga Veriu Ognjen Gogiç
-
Diplomati gjerman: S’ka Asociacion nëse serbët në veri nuk marrin pjesë në zgjedhje