Kosova

Për të pagjeturit, kërkohet përgjigje për nisjen e gërmimeve në lokacione të reja në Serbi


Foto: Radio Evropa e Lirë

Akoma nuk dihet për fatin e mbi një mijë e 600 personave të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë.

Për zbulimin e territoreve të mbetjeve mortore nga lufta e fundit, udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara u shpreh se në shtetin serb janë tri ose katër lokacione në të cilat komisioni veçse kanë dërguar shkresat te partnerët ndërkombëtarë për lejimin e gërmimeve në atë shtet.

“Sfiduese mbesin lokacionet në territorin e Serbisë, por në këto raste jemi në një komunikim edhe me bashrendim të aktiviteteve të vazhdueshme me partnerët ndërkombëtarë që janë pjesë e këtij procesi që të shtohet presioni dhe trysnia ndaj palës serbe që të kemi sa më parë data për fillimin e gërmimeve për lokacionet e shënuara në territorin e Serbisë”.

Gara, në një intervistë për agjencinë e lajmeve KoosvaPress, ka thënë se në vitin 2021 është punuar në nëntë lokacione të ndryshme ku edhe janë zhvarrosur dy trupa.

“Derisa vazhdojnë të jenë më shumë se 1 mijë e 600 persona të pagjetur, sigurisht që çdo informatë që mund të klasifikohet dhe të vlerësohet si informatë që mund të kontribuojë në proces, duhet të trajtohet me shumë prioritet. Po bëjmë përpjekje që gjatë këtij viti të ketë një dinamik të shtuar në këtë proces”, ka thënë Gara.

Ai ka thënë se përveç kryesuesit të komisionit i cili është në komunikim të vazhdueshëm me kolegë të institutit të mjekësisë ligjore dhe institutit për hetime ligjore, edhe institucionet e tjera janë duke u angazhuar.

“Edhe institucionet e tjera kompetente të Republikës së Kosovës, gjykata kompetente që të kemi një dinamik të shtuar në proces ose të intensifikojmë angazhimin e përbashkët që të gjitha lokacionet e mundura të Republikës së Kosovës të trajtohen dhe të procedohen në kuptimin vlerësues”, thotë ai.

Krimet serbe në Kosovë.

Ndërsa, ka theksuar se brenda territorit të Kosovës, nuk do të ketë informatë ose lokacion, i cili nuk do të trajtohet në kuptimin e gërmimeve.

“Republika e Kosovës do të vazhdojë të jetë shembull për mënyrën e trajtimit të informatave, për numrin e informatave ose për numrin e lokacioneve që janë trajtuar brenda vitit… Janë të paktën tri apo katër lokacione nëpër të cilat ne tashmë i kemi dorëzuar shkresat zyrtare dhe janë të shënjuara dhe po presim që të kemi një koordinim me partnerët ndërkombëtarë”.

Gara shtoi se kërkesat e vazhdueshme të tyre ndaj partnerëve ndërkombëtarë janë që të shtohet presioni mbi palën serbe që të kenë datat se kur mund të zhvillohen gërmimet atje.

“Për shtetin e Serbisë kërkesat tona janë të vazhdueshme jo vetëm kërkesat por bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë është i vazhdueshëm që të shtohet presioni ndaj palës serbe që të kemi sa më parë datat për fillimin e gërmimeve”.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona, shumica dërrmuese shqiptarë.

Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë. Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.

Një plagë tjetër e luftës janë edhe rreth 1 mijë e 600 persona të pagjetur, kryesisht shqiptarë.

Në përfundim të misionit të tij, Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, ka rekomanduar që vendet e ish-Jugosllavisë ku përfshihej edhe Kosova t’i hetojnë dhe trajtojnë krimet që janë kryer në territorin e këtyre vendeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore