Lajme

Për protestat e serbëve pro Rusisë/ Kamberi: Ato janë produkt i një klime të tillë shoqërore


Protesta pro Rusi në Beograd

Deputeti shqiptar nga Lugina e Preshevës në Kuvendit të Serbisë, Shaip Kamberi ka reaguar pas protestave të serbëve në Beograd në mbështetje të Rusisë.

Ai ka thënë se protestat e mbajtura mbrëmjen e së premtes së katër marsit pro-Putin në Beograd nuk janë vetëm organizim i partive të vogla opozitare dhe të disa organizatave pro-ruse në Serbi.

Deputeti shqiptar nga Lugina e Preshevës në Kuvendit të Serbisë, Shaip Kamberi

“Ato janë produkt i një klime të tillë shoqërore, të ushqyer me vite nga pushteti i Aleksandër Vuçiqit, Ivica Daçiqit dhe Aleksandër Vulinit, të cilat zgjasin dorën dhe fshehin fytyrën”.

Kamberi tutje ka thënë se kjo është një lojë klasike e Serbisë.

“Ushqe pro-putinët/rusët në njërën anë dhe paraqitu njëkohësisht te perëndimorët si alternativë e tyre e vetme stablizuese ‘pro-evropiane’ ”.

Ai ka kujtuar se mediat e kapur nga presidentit serb, Aleksandar Vuçiç ditë më parë bënin propagandë kinse Ukraina ka sulmuar Rusinë.

“Hiq më larg se para pak ditësh, mediat e Vuçiqit publikonin se si Ukraina po sulmon Rusinë. Në Serbi, pro-putinët e hapur në rrugë dhe pro-putinët e fshehtë në pushtet janë realisht dy anët e medaljes së njëjtë, që urrejnë Perëndimin dhe demokracinë liberale. Që urrejnë shqiptarët. Që urrejnë të ndryshmen”, ka shkruar Kamberi në rrjetin social Facebook.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore