Kosova

Për paga, në protestë edhe punëtorët e Lotarisë së Kosovë


Nje nga protestat e punëtorëve të Lotarisë së Kosovës

Të vendosur për të arritur përmbushjen e kërkesave të tyre, punëtorët e Lotarisë së Kosovës do të protestojnë sërish këtë të mërkurë.

Ata do të mblidhen para objektit të Qeverisë së Kosovës, bëhet e ditur në një njoftim të publikuar nga ta, ku ndër të tjera kanë thënë se ndihen të indinjuar për neglizhencën që po u bëjnë institucionet e vendit.

“Protestat do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kërkesave tona e që janë Ligji për Lotarinë e Kosovës si dhe përmbushja e obligimeve, pagave për punëtorët tanë”, thuhet në njoftim të Lotarisë së Kosovës.

“Kërkojmë praninë dhe ndihmën tuaj në përmbushjen e kërkesave të punëtorëve tanë, të cilët për tri vite gjenden në gjendje të rënduar ekonomike dhe sociale”, vazhdon më tej njoftimi.

Protesta e punëtorëve të Lotarisë së Kosovës ka filluar nga qershori i vitit të kaluar.

Dhe për gati një vit ata protestojnë herë pas here me të njëjtën kërkesë.

“Kërkojmë miratimin e ligjit dhe kthimin në vendet e punës”, ishte kërkesa e vetme e punëtorëve të Lotarisë së Kosovës të cilët në mënyrë simbolike bashkë me sindikatën protestuan në shesh, para objektit të Qeverisë.

Ibadete Asllani Berisha, ish-punëtore e Lotarisë së Kosovës atë kohë, thoshte se ishin bërë dy vite, e tani sipas kësaj përllogaritje i bie të kenë kaluar 3 vite, që statusi i tyre është i pa zgjidhur, janë të pezulluar nga puna dhe askush nuk po ndërmerr asgjë për të përmbushur kërkesat e tyre.

“Nuk jemi duke kërkuar asgjë më tepër, vetëm miratimin e ligjit dhe pagat”, thoshte ajo para gazetarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore