Shqipëria

Për një natë, rrugët e Tiranës të çonin drejt “viktimave”


Mbrëmjen e 13 janarit, tabelat e rrugëve të Tiranës u zëvendësuan me emrat e viktimave nga krimi bashkëshortor apo në familje.

Kjo nismë simbolike e Kolektivit Feminist në Tiranë, sipas deklaratës së tyre, është një reagim për gratë e vrara nga dhuna patriarkale në Shqipëri.

Grupi i aktivisteve kishte përzgjedhur 20 rrugë që do të mbanin emrin e 20 grave.

Emrat e tyre përkonin me viktimat nga femicidi – vrasje me bazë gjinore – përgjatë gjithë vitit 2021.

Kjo, përfshirë rastin më të fundit, të Gjyle Topallit, disa ditë më parë, në Vaun e Dejës.

Reagimi

Nën moton “Privatja është publike: 20 rrugë për 29 gra të vrara në një vit!”, ndërgjegjësimi i aktivisteve tërhoqi vëmendjen e qytetarëve të ndryshëm.

Edhe pse për fat të keq, një pjesë e tabelave ishin hequr nga pozicioni i një nate më parë, mesazhi ishte origjinal dhe i zëshëm “për ato që nuk kanë më zë”.

“Në një shoqëri ku dhuna strukturore dhe patriarkale i shndërron gratë në viktima dhe burrat në kriminelë e ku krimi justifikohet e për të cilin vazhdimisht fajësohet viktima, reagimi masiv për një transformim rrënjësor është domosdoshmëri”, nënvizohet më tej në reagimin e Kolektivit Feminist.

Këto çështje, sipas aktivisteve, nuk janë private por shoqërore dhe politike.

Grupi është angazhuar edhe me një mesazh drejtuar institucioneve duke i kërkuar vëmendje gjithpërfshirëse dhe akte konkrete.

Në të përfshihen mbrojtja, siguria e mirëqenia për të mbijetuarat dhe politika sociale që parandalojnë dhunën dhe hapin rrugën për barazi e drejtësi shoqërore.

Emrat e viktimave

Përmbyllja e mesazhit i dedikohet të gjithë viktimave duke kujtuar emrat e tyre:

Lumturie Bici, 50 vjeç, vrarë nga bashkëshorti, Librazhd, 2021; Klarita Ismalaja, 45 vjeç, vrarë nga bashkëshorti, Krujë, 2021; Diana Vuka, 59 vjeç, vrarë nga i vëllai, Shkodër, 2021; Zhaneta Metani, përdhunuar, shfrytëzuar për prostitucion dhe vrarë nga Përparim Tela, Tiranë, 2021; Kristina Bardhi, shfrytëzuar për prostitucion dhe vrarë nga Përparim Tela, Tiranë 2021; Liljana Buzo, 54 vjeç, vrarë nga bashkëshorti, Elbasan, 2021; Dorina Alla, 39 vjeç, vrarë nga bashkëshorti, në prani të fëmijëve, Itali, 2021; Fëllënza Shirja, 45 vjeç, vrarë nga bashkëshorti, Kavajë, 2021
Irvana Hyka, 28 vjeç, vrarë nga bashkëshorti në prani të fëmijëve teksa ishte shtatzënë, Fier, 2021; Luljeta Heshta, 47 vjeç, vrarë nga partneri, Itali, 2021; Sanije Bandula, 83 vjeç, vrarë nga bashkëshorti, Shkodër, 2021; Anisa Shehu, 31 vjeç, vrarë nga bashkëshorti, Greqi, 2021; Joana Peca, 27 vjeç, qëlluar nga bashkëshorti në prani të fëmijëve, Florida, SHBA, 2021; Sabrina Bengaj, 23 vjeç, vrarë nga ish-bashkëshorti, Fier, 2021; Violeta Gurraj, 47 vjeç, vrarë në shtëpinë e saj nga bashkëshorti, Shkodër; Fëllënxë Rrasa, 45 vjeç, vrarë nga bashkëshorti, Divjakë, 2021; Jawsackie Jaboah, 31 vjeç, vrarë nga bashkëshorti shqiptar, Tiranë, 2021; Elinda Topalli, 50 vjeç, vrarë nga bashkëshorti, Austri, 2021; Elona Ibrushi, 36 vjeç, vrarë nga bashkëshorti, Greqi, 2021 ;Gjyle Topalli, 40 vjeç, vrarë nga ish-bashkëshorti, Vau i Dejës, 2022.

Shifrat e dhunës

Në Shqipëri, gjatë pandemisë, incidenca e abuzimit fizik ose verbal nga bashkëshorti ose partneri është rritur me 79 për qind të grave ose vajzave.

Publikimi më i fundit i Kombeve të Bashkuara, “Matja e Pandemisë në Hije: Dhuna kundër grave gjatë COVID-19” nxori në pah se dhuna ndaj grave dhe vajzave është intensifikuar që nga shpërthimi i COVID-19.

“UN Women” bashkëpunoi me zyrat kombëtare të statistikave, subjektet qeveritare dhe partnerët ndërkombëtarë për të përpunuar Sondazhet e Vlerësimit të Shpejtë Gjinor (RGAs).

Këto sondazhe u përqendruan mbi ndikimet socio-ekonomike të COVID-19 në 58 shtete.

Këto RGA u fokusuan kryesisht në ndikimet gjinore mbi punësimin, të ardhurat, kujdesin e papaguar dhe atë të brendshëm, qasjen në mallra, shërbime dhe ndihmën sociale.

RGA-të u zbatuan në Shqipëri, Bangladesh, Kamerun, Kolumbi, Bregun e Fildishtë, Jordani, Kenia, Kirgistan, Marok, Nigeri, Paraguai, Tajlandë dhe Ukrainë.

Shifrat e Shqipërisë

29 për qind e grave ose vajzave shqiptare raportuan se ato ose një grua që njohin, kanë përjetuar një formë të dhunës gjatë periudhës prill-shtator të vitit 2021.

Sakaq, 53 për qind e grave apo vajzave shqiptare raportuan se kanë përjetuar ndonjëherë një formë të dhunës ose kanë njohur një rast të afërt.

 Më tej, raporti zbulon se 16 për qind e grave apo vajzave shqiptare ndihen më pak të sigurta në shtëpi pas COVID-19.

Shqipëria kryeson renditjen e grave që kanë raportuar për shfaqjen ose kërcënimin e dhunës fizike në shtëpi me 34 për qind.

Nga këto, 29 për qind janë lënduar nga të rriturit e tjerë në familje dhe 38 për qind janë raportimet e lëndimeve të grave të tjera në familje.

COVID-19 e ka përkeqësuar më shumë konfliktin mes të rriturve në familjet shqiptare për 23 për qind të tyre.

Në Shqipëri, 22 për qind e grave raportuan se COVID-19 i bëri të ndiheshin më pak të sigurta gjatë lëvizjeve në orët e mbrëmjes.

29 për qind e grave shqiptare mendojnë se dhuna me bazë gjinore në komunitet është rritur gjatë vitit pandemik.

Ndërkaq, 57 për qind e grave apo vajzave shqiptare mendojnë se ngacmimi seksual është rritur gjatë pandemisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore