Shqipëria

Për një ideal të siluetës


E gjendur në dhomën e saj, krah me vetminë, po dyshon te vetja.

I shkreptijnë sytë teksa ekrani i vogël përpiqet të mbushë zbrazëtinë me të tjera vajza, të cilat, ndryshe nga ajo, dëshmojnë pamjen e tyre fizike si të ishte ideale.

Të pakërkuara, këto pamje vijnë dozë pas doze e nuk ndalen, duke e shndërruar ekranin në një pasqyrë të dy realiteteve që nuk përngjajnë me njëri-tjetrin.

Në ngashërim, ajo nis të shajë veten. Se nuk ka një trup tjetër, të ngjashëm me siluetën e ofruar, një trup të përkryer.

Por, një dozë e radhës e bind të mos trazohet më me dyshimin. E bind të ndjekë siluetën, duke harruar se po ndjek realitetin tjetër dhe jo të sajin.

Frekuenca e ekspozimit

Një sociologe e sheh fenomenin si pjesë të vetëdijes sonë. Klejdisa Xhumri tregon për Albanian Post se kjo ka ardhur prej frekuencës së lartë të përfshirjes në botën virtuale, për shkak të lehtësirave që ofron në komunikim.

Por, çfarë fshihet pas lehtësisë?

“Në një vështrim jo sipërfaqësor, jemi shumë pranë dukurive negative, ndoshta edhe viktima të tyre. Dhe këtu mund të përmend dukurinë e bullizmit që, për fat të keq, është gjithnjë në rritje. Ngjashëm edhe gjuha e urrejtjes apo ndikimi negativ në personalitetin e individëve”, sqaron Xhumri.

Sipas saj, të qenit i ekspozuar ndaj medias sociale, ku bombardimi më i vazhdueshëm me imazhe ka efekt të madh sidomos kur ndikon në ndërtimin e imazhit tonë.

“Pamja fizike fillon të ketë një rëndësi të jashtëzakonshme. Ky është një fenomen që vërehet më së tepërmi te vajzat dhe gratë, kryesisht në grupmoshën 18 deri në 34 vjeç”, pohon sociologia.

Ajo vazhdon se “promovimi i imazhit ‘ideal’ nëpërmjet mediave sociale ka ndryshuar rrënjësisht perceptimin e qartë të vetvetes duke na nxjerrë nga ‘rehatia’ për ta pranuar veten ashtu si jemi”.

Përkundrazi, na fut në një rrugë komplekse. E në këtë rrjedhë, njëanshmëria e mendimeve të vajzave dhe grave, ndikuar nga mediat sociale, arrin që vlerat personale të lidhen me imazhin fizik.

“Realiteti i aktualitet bën që ndryshimi i pamjes fizike të vijë si pasojë e numrit të vogël të pëlqimeve në mediat sociale. Këto janë ndryshime që bazohen në stereotipet shoqërore”, pohon Xhumri.

Për të përligjur arsyetimin e vet, sociologia sjell ndër mend teorinë e krahasimit shoqëror të Leon Festinger. Teoria propozon krahasimin e vetes me kolegët. Kjo për të vendosur pozicionin dhe/ose vetëvlerësimin tonë.

“Nëse e vendosim veten në një pozitë më të lartë, vetëvlerësimi ynë rritet. E nëse e vendosim veten në një pozitë më të ulët, edhe vetëvlerësimi ulet”, shpjegon ajo.

Xhumri tregon se ngjashëm, krahasimet që bëhen në mediat sociale, kanë tendencë të lidhen me pakënaqësinë e pamjes fizike, çka mund të përfshijë krahasimin e vetes me të panjohurin.

Ndërsa Fredrickson dhe Roberts, nga ana tjetër, mendojnë se imazhi ideal i trupit të femrës është ndërtuar në mënyrë shoqërore, me qëllim që të shihet dhe vlerësohet. Çka supozohet se vajzat dhe gratë kanë tendencë ta bazojnë imazhin e trupit të tyre në atë të një shikuesi.

“Në vend që të kenë vlerësimin dhe perceptimin e tyre të brendshëm të trupit, ato ndërtojnë imazhin e tyre bazuar në mendimet dhe pritjet e njerëzve të tjerë. Në këtë pikë, vajzat dhe gratë mund të shihen fare mirë si viktima të mendësisë dominuese”, vlerëson Xhumri.

Sociologia e vazhdon arsyetimin, duke thënë se pakënaqësia dhe shqetësimi në raste mospërputhshmërie me standardet e pranuara të bukurisë nga shoqëria apo nga bashkësia virtuale mund të shkaktojë probleme të shumta të shëndetit mendor.

“Mirëpo, vështirë t’i shmangemi ndikimit të mediave sociale në këtë epokë. Ideologjia feministe mund të ndihmojë në objektivizimin e trupit. Kjo, sepse gratë me ide feministë kanë tendencë t’i kushtojnë shumë më pak vëmendje ndikimit të imazheve”, përmbyll Xhumri.

Formësimi mediatik

Një psikologe e sheh fenomenin si produkt të medias sociale, e cila është përgjegjëse për krijimin e një pjese të konsiderueshme të këndvështrimit mbi realitetin.

Elona Braçja shprehet për Albanian Post se përmbajtja që transmetohet në mediat sociale ka një ndikim relativisht të madh në edukimin social mbi modelin femëror të paraqitur.

“Duke qenë se shumë nga reflektimet tona formësohen mediatikisht, këtu hyn edhe një rol tjetër, ai orientues. Ngjashëm si me formësimin e identitetit femëror që ka shkuar paralelisht me emancipimin e tyre në shoqëri”, thotë ajo.

Mirëpo, modelet që paraqiten, sipas saj, janë të projektuara për të tërhequr përmes joshjes, “portretet mediatike na ofrojnë vajza të ekspozuara ndaj seksualitetit”.

Braçaj sqaron se kjo është problematike, pasi vajzat kërkojnë t’i përngjajnë këtij modeli të ofruar përditë në mediat sociale. Ato nisin t’i nënshtrohen “perfeksionizmit modelues”, çka shtrembëron botëkuptimin e tyre duke dashur që realiteti t’i ngjasojë medias sociale.

“Njerëzit nuk e mendojnë dy herë kur komentojnë rreth peshës apo mbipeshës së një vajze. Kjo bën që ato të jenë në presion për të shkuar drejt një modeli ideal, sepse mediatikisht kjo është forma që të promovon, që të jep karrierë të suksesshme, por edhe që mund të paguhesh më mire”, thotë psikologia.

Ajo ravijëzon se lidhja që formohet mes imazhit ideal trupor dhe shqetësimeve psikologjike bëhet edhe më e fortë nga ky ndikim i jashtëm. Përqendrimi i shumtë te rëndësia që ka pamja fizike kontribuon në zhvillimin e depresionit apo çrregullimeve të të ngrënit, ku përfshihet anoreksia nervore dhe bulimia.

“Për ta shmangur këtë, vajzat duhet të mësojnë të jenë imune ndaj manipulimeve mediatike dhe të mos kthehen në imituese të modeleve të paraqitura”, sugjeron Braçja.

Dhe se “kjo fillon me rritjen e vetëdijes për efektet negative me natyrë të vazhdueshme që sjellin imazhet e servirura me standardet e paracaktuara të bukurisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore