Lajme

“Për interesa të kujt po punoni? Votojeni Trusti-in”, Tahiri u drejtohet deputetëve të LV-së


Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka kërkuar nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që ta votojnë nismën për tërheqjen e 30 për qind të mjeteve të Trustit nga qytetarët.

“Për interesa të kujt po punoni? Votojeni Trusti-in”, ka shkruar Tahiri në Facebook, duke shtuar se “51 përqindëshi i para dy viteve po shkelë vullnetin e 99 për qind të qytetarëve. Turp”.

“Mjetet e Trustit janë para së gjithash mjete të qytetarëve. Qeveria ka më shumë rol kujdestarues për to. Mohimi i qasjes dhe shfrytëzimit të një përqindje nga vet kontributdhënësit, është qasje nënshtruese në emêr të barazisë dhe sigurisë sociale”.

Ai ka shtuar se “kjo qeveri as pas dy vitesh nuk po arrin ta kuptoj se e vetmja rrugëdalje nga varfëria është zhvillimi ekonomik dhe njerëzor”.

“Pse mos të lihet një periudhë 1 mujore për ata që duan ta tërheqin një pjesë të kontributit të tyre. Do ta kuptonit që 99 për qind e qytetarëve do ta shfrytëzonte atë mundësi”.

“Por ju e keni ndarë mendjen, dhe po ushtroni një dhunë të dyfishtë mbi njerëz. Po mohoni mjetet si dhe po dhunoni vullnetin e lirë. Krejt kjo në emër të asaj se ju po shihni dhe po dini se çfarë na pret pas 10, 15, 20 viteve, përderisa as sot e kësaj dite, nuk jeni të aftë ta definoni as vlerën e një koeficenti të pagës”.

Në fund të vitit të kaluar, Nisma për tërheqjen e Trustit ishte proceduar për në Kuvendin e Kosovës.

Ky vendim është marrë në Komisionin për Buxhet i cili ka shqyrtuar në parim Projekligjin për plotësim dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet pensionale të Kosovës, më të cilin është kërkuar tërheqja e 30% e kursimeve pensionale të qytetarëve.

Për të përcjellë projektligjin në Kuvend kishin votuar pro 4 deputetë, kundër kanë votuar 3, ndërsa 2 kanë abstenuar.

Pse s’duhet të tërhiqen 30% e Trustit sipas ekonomistëve?

Si rrodhën gjërat?

Partia Demokratike e Kosovës  – si partia më e madhe opozitare kishte propozuar tërheqjen deri në 30 për qind të kursimeve pensionale.

Deputeti i kësaj partie, Bekim Haxhiu, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së më 9 mars kishte dorëzuar në Kuvend Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, i cili do të mundësonte tërheqjen e këtyre mjeteve.

Megjithatë ky projektligj nuk kishte marrë dritën jeshile të deputetëve të Kuvendit të Kosovës në Qershor.

Për këtë projektligj kishin votuar gjithsej 102 deputetë, kur prej tyre 44 pro, 57 kundër dhe 1 abstenim.

Pas këtij dështimi qytetarët e Kosovës përmes më shumë se 20 mijë nënshkrimeve ishin drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës që t’u lejohet tërheqja e Trustit.

Sipas propozimit të PDK-së, i cili nuk u aprovua në Kuvend, kontributpaguesit që kanë më pak se 10 mijë euro kursime pensionale kërkohet që të kenë të drejtën e tërheqjes së 30 për qind të mjeteve.

Ata që kanë deri 20 mijë euro – 25 për qind, nga 20 mijë deri 30 mijë – 20 për qind.

Për kontributpaguesit që kanë kursime pensionale në shumën prej 30 mijë eurosh – 15 për qind dhe ata mbi 40 mijë euro – 10 për qind të shumës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore