Shqipëria

Për herë të parë, (jo) si demokrat


Parlamenti i Shqipërisë do të hapë dyert në orën 10:00, për të çelur legjislaturën e re të punimeve të Kuvendit.

Pas dy vjetësh, opozita e përbërë nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, rikthehen në sallën e demokracisë shqiptare.

Një figurë me shumë rëndësi në jetën politike shqiptare që do të kthehet në Parlament, është edhe ish-Presidenti, ish-Kryeministri dhe ish-kreu i PD-së, Sali Berisha.

Por, për herë të parë, ai në sallë (nuk) futet si demokrat.

Përjashtimi i tij nga PD-ja, u kërkua drejtpërdrejt nga Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri. Më pas, një ditë përpara fillimit të punimeve të Kuvendit, ajo kërkesë, u ekzekutua nga kreu i demokratëve, Lulzim Basha.

Sali Berisha, për herë të parë në 30 vjet – përjashto vitet kur ka qenë President i Republikës – nuk do të jetë pjesë e Grupit Parlamentar Demokrat.

Çfarë u desh për këtë ndodhi?

19 maji, sa i afërt edhe i largët, do të sillte një stuhi të vërtetë politike e mediatike në Shqipëri, pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, nëpërmjet një postimi në Twitter, do të shpallte zyrtarisht si non grata, Sali Berishën dhe familjen e tij.

Po e adresoj zyrtarisht Sali Berishën dhe familjen e tij si të papërshtatshëm për t’u futur brenda SHBA-ve”.

Me këtë fjali, diskursi politik shqiptar ndryshoi thelbësisht përgjatë gjithë muajit të verës.

Menjëherë në ditën pasuese, Berisha ngriti një padi ndaj kryediplomatit amerikan. Baza sipas tij, ishin shpifjet publike që Blinken kishte bërë, ku e atashonin Berishën me korrupsionin.

Një dilemë e madhe e priste Lulzim Bashën tashmë, si i sapo konfirmuar në krye të Partisë Demokratike. Kjo, pas humbjes së tretë radhazi në zgjedhjet e përgjithshme.

Thirrjet nga ndërkombëtarët për një Parlament jo të inkriminuar, vijonin. Mbi të gjitha, nga zëri i fortë i amerikanëve, por pa përmendur emrat konkretë.

Berisha nga ana tjetër, ushtronte ndikimin e tij të fuqishëm politik, me një diskurs që përshfaqej herë pas here në publik.

Gjithsesi, në harresë e sipër, gjatë gjysmës së parë të verës, çështja u la e mënjanuar. Mbi të gjitha, pas disa goditjeve radhazi nga SPAK, të cilat rrokën vëmendjen e mediave.

Bari dhe Berisha

30 korriku ngjante si një e premte e qetë politike. Kuvendi kishte mbajtur seancën e fundit plenare mbyllëse për legjislaturën dhe pushimet e verës i paraprinin një etape të re politike në Shqipëri.

Një vizitë e paparalajmëruar e Ambasadores së SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, në selinë blu, do të vinte të gjithë në alert.

Askush nuk e dinte arsyen e kësaj vizite. Por, me të përfunduar takimin, një deklaratë shumë e fortë politike, do të vinte nga Kim.

“Do të ishte një ironi historike dhe tragjike, nëse Partia Demokratike do të hante bar për hatër të një deputeti të saj”.

Për herë të parë në historinë e Shqipërisë, një ambasadore e huaj i drejtohej në mënyrë direkte një kreu partie, në kusur të një politikani, për më tepër lideri historik të partisë së dytë më të madhe në vend.

Thirrja e Kim qe e qartë: Partia të lëvizë përpara.

Mesazhi nuk kishte nevojë as të kodohej. Pikërisht kështu, Sali Berisha, u vu sërish në shënjestër të amerikanëve.

Ndërsa Basha, rishtazi, nën presion ndërkombëtar për heqjen e paraardhësit të tij.

Berisha konfirmon… Berishën

“Të premten do të jem në Parlament, në përputhje të plotë me vullnetin e shqiptarëve”.

Shtatori politik, shumë i afërt me fillimin e punimeve të Kuvendit, do të niste me këtë përgjigje të liderit historik demokrat.

Pavarësisht se prej më shumë se një muaji nuk ishte përmendur nga ndërkombëtarët, ai e risolli veten në skenë, ndoshta edhe si një nevojë e njerëzve për të ditur fatin e tij.

Votën, sipas tij, ja kishin dhënë qytetarët. Për këtë shkak, ai duhet të respektonte vullnetin e sovranit.

Berisha e konfirmoi qartësisht pjesëmarrjen e tij në legjislaturën e re. Asnjë qëllim i lënies së mandatit, nuk fshihej tek ai. Madje, deklaroi edhe se do të bënte opozitë më të fortë se kurrë më parë.

Disa kritika – si paraardhës por edhe si anëtar i partisë – nuk ia kurseu as Bashës si drejtues.

Edhe pse 30 vjet në këtë fushë, padurimi i tij për t’iu rikthyer foltores së Parlamentit, ishte i madh.

Basha nuk e konfirmon Berishën

Vetëm 14 orë përpara fillimit të Kuvendit, Lulzim Basha – i heshtur më parë për çështjen Berisha – dha deklaratën e parë dhe më të fortë në karrierën e tij politike.

Betejën me SHBA-në, për Bashën, Berisha duhet ta vijonte i vetëm, i paatashuar me logon e PD-së në Parlament.

Vendimi ishte i prerë: Sali Berisha, derisa të zgjidhë çështjen me SHBA-të, nuk do të jetë pjesë e Grupit Parlamentar.

Vendim ky, të cilin Basha vetë e cilësoi si më të vështirin në karrierën e tij.

Por paraardhësi i tij, është pak të thuash se nuk e priti mirë.

“Më mirë të jepte dorëheqjen, se të shkelte sovranitetin e partisë”. Kështu tha Berisha menjëherë pas vendimit të Bashës, duke e përkufizuar atë si “nul”.

Por, një vendim që për herë të parë, e bën atë të futet në Parlament (jo) si demokrat.

Megjithëse, siç ai vetë tha, në këtë çast ndihet më demokrat se kurrë. Pse jo, edhe për të krijuar një front për rikthimin e sovranitetit në parti.

Një rikthim në krye të PD-së, të cilin ai, kategorikisht, nuk e ka mohuar.

“Kurrë mos thuaj kurrë”, do të thoshte ai më 10 qershor.

Ndërsa më 10 shtator, saktësisht tre muaj më pas, hyrja e Parlamentit, si gjithmonë, do të shohë në dyert e tij, Sali Berishën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore