Shqipëria

“Për dy vjet me Shqipërinë nga 184 marrëveshje zbatuam 58 prej tyre”, thotë Kurti


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në prag të Ditës së Flamurit është deklaruar rreth investimeve të Shqipërisë në Kosovë dhe për zbatimin e marrëveshjeves mes dy vendeve.

Sipas kreut të ekzekutivit të Kosovës, vetëm gjatë dy vite e gjysmë me Shqipërinë janë zbatuar 58 marrëveshje nga 184 marrëveshje.

“Nga gjithsej 184 marrëveshje, vetëm gjatë këtyre dy viteve e gjysmë midis dy qeverive, të dy republikave tona, janë arritur dhe vënë në zbatim 58 marrëveshje të reja, ose gati 1/3 e të gjitha marrëveshjeve. Me ritëm gati katër herë më të shpejtë se gjatë gjithë viteve të mëparshme”, ka thënë Kurti para gazetarëve.

Ai ka theksuar se suksesi ka më shumë vlerë kur në vend të vetëkënaqësisë nxit vetëbesimin për suksese të tjera.

“Duhet të ecim më shpejt kah tregu ynë i përbashkët, kah sistemet dhe mekanizmat e përbashkëta, kah bashkimi doganor, kah çdo për-bashkim që na shërben dhe na bën gati për t’u integruar edhe në Bashkimin Evropian”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Ai ka theksuar se lehtësimi i tregtisë me heqjen e barrierave tregtare dhe promovimin e lëvizjes së lirë janë “hapa të rëndësishëm” drejt integrimit të përbashkët ekonomik.

“Investimet nga Shqipëria në Kosovë nga viti 2019 në vitin 2022 janë rritur ndjeshëm dhe shprehur në vlera në vitin 2019 ishin 15. 2 milionë euro, ndërkaq në vitin 2022 kanë mbërritur shifrën prej 79.7 milionë euro”.

“Ky lehtësim i lëvizjes ka ndihmuar rritjen e turizmit në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Morinë-Vërmicë. Kësisoj në vitin 2022 vetëm në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Morinë-Vërmicë kanë kaluar rreth 8. 2 milionë qytetarë”.

Edhe më 12 qershor, qeveria e Kosovës, kishte miratuar dy vendime që lidheshin me marrëveshjet me Shqipërinë.

Vendimi i parë kishte të bëjë me nismën për lidhjen e Marrëveshjes Ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Bashkëpunimin në lehtësimin e Procedurave në Pikat e Inspektimit Kufitar për produktet me origjinë jo Shtazore.

Ndërsa vendimi i dytë është lidhur me Marrëveshjen për Bashkëpunim Arsimor dhe Shkencor me përfitim reciprok.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore