Kosova

Për dy vite në Veri u paguan mbi 100 milionë euro për rrymë


Veriu i Kosoves

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, derisa ka dhënë detaje nga raportimi i Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT) në Komisionin për Buxhet, ka thënë se 113 milionë euro janë paguar për energjinë në Veri për vitet 2021 dhe 2022.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se këto mjete janë paguar nga buxheti i shtetit dhe nga dividenta e KOSTT-it për Qeverinë, teksa ka bërë me dije se “sivjet, deri në shtator, borxhi është rreth 25 milionë”.

Anomalia, sipas Hotit, “qëndron edhe në faktin se në vitin 2021, pagesa u bë me vendim të Kuvendit”. “Ndërkaq, në vitin 2022 u anashkalua Kuvendi dhe pagesa u krye me vendime tjera”, shtoi.

Tutje, Hoti rikujtoi kohën kur qeveria aktuale, në kohën kur ishte në opozitë kritikonte ashpër ekzekutivet e mëparshme kur bënin të njëjtin gjë.

“Qeveritarët e sotëm nuk kanë lënë gjë pa bërë kundër qeverive të kaluara kur ato detyroheshin të bënin pagesat për energjinë në veri. Tani paguajnë shumëfish më shumë dhe nuk i shihet fundi si do të mbyllet kjo çështje”, theksoi.

Qeveria Kurti me qasje selektive për pagesën e energjisë elektrike – vendim antikushtetues

Ndryshe, qytetarët e Veriut të Kosovës që nga viti 1999 nuk e paguajnë energjinë elektrike, kjo për arsye se askush nuk ju kërkon një gjë të tillë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore