Shqipëria

Për Albanian Post, banorët e Dukagjinit ngrenë shqetësimin: Po sëmuren pemët shëruese


“Gështenjat janë burimi kryesor i të ardhurave të familjes sonë”, thotë për Albanian Post (AP) Ndue Rrgalla nga fshati Shosh i Dukagjinit, në Bashkinë e Shkodrës.

“I ka mbytur sëmundja dhe nuk prodhojnë si më parë”, thekson ai.

Pema e gështenjës, pasuria më e madhe e banorëve

Për mijëra vite me radhë, gështenja ka qenë ushqimi kryesor për zonat malore të Mesdheut, ku drithërat nuk rriteshin dot. Banorët e zonës së Dukagjinit ka disa vite që po përballen me një sëmundje që ka kapur pemët e gështenjave.

Kur vjen periudha e pjekjes së frutit të kësaj peme, pronarët e tokave, shumica dërrmuese e të cilëve jetojnë në Shkodër, shkojnë te tokat e tyre në Dukagjin dhe i mbledhin.

Fruti i gështenjës grumbullohet nga banorët e zonës, të cilët më pas e shesin te pronarët e pikave të grumbullimit.

Këta të fundit ua shpërndajnë pikave të shumicës, dyqaneve apo i dërgojnë jashtë shtetit.

Në varësi të pemëve të mbjella, një familje shet afërsisht nga 15 deri në 100 kuintal gështenja në vit, duke e kthyer në burimin kryesor të të ardhurave ekonomike në familjet dukagjinase.

Sipas një studimi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Shqipëria zë vendin e 9-të në botë për eksportin e gështenjave.

Tregu, si ai vendas, por edhe ai ndërkombëtar, ka kërkesa të mëdha për gështenjën e Dukagjinit dhe të Tropojës. Kështu që, sipas Rrgallës, fitimet e ardhura nga shitja e gështenjave janë të kënaqshme.

Por, ka disa vite që gështenjat e kësaj zone i ka kapur një sëmundje “e tmerrshme”, siç e quajnë vendasit. Ka rënë prodhimi dhe po dëmtohen edhe fidanët e rinj.

Sipas Gjin Gurit, i cili ka qindra rrënjë gështenjash në tokat e tij në Dukagjin, pema i ka gjethet e mbledhura dhe kur hapen, brenda tyre gjen krimba.

“Ka tre vite që ne nuk kemi prodhimin e dëshiruar. Disa vite më parë shisja 50 kuintal në vit, tani me zor shes pesë dhe nuk janë të cilësisë së mirë”.

“Kam mbjellë 50 fidanë të rinj dhe pothuajse të gjitha janë të dëmtuara. Po vazhdoi kështu, do më duhet t’i pres të gjitha”, vijoi Guri.

Çfarë është “tumori i gështenjës”?

Profesori i asociuar dhe doktori i shkencave bujqësore, Zef Gjeta, tha për AP-në se kjo sëmundje quhet “tumori i gështenjës” dhe është shumë e rrezikshme për pemën.

Sipas profesorit, i vetmi trajtim që mund t’u bëhet, është që pemëve të prekura nga sëmundja t’u prihet pjesa e sëmurë dhe t’u pastrohet territori përreth.

“Kryesore është që tek individët e sëmurë t’u prihet dhe t’u digjet pjesa e infektuar. Ndërkohë që ka shumë rëndësi që t’u pastrohet territori përreth, në mënyrë që ‘t’u lëshohet fryma’”.

Në të njëjtën kohë, banorët e zonës ankohen edhe për papërgjegjësinë e treguar nga autoritetet përkatëse për ta menaxhuar situatën në pyjet e Dukagjinit.

Rrgalla tha se ai, së bashku me disa banorë të tjerë e kanë ngritur problemin e tyre te Njësia Administrative Shosh apo në Bashkinë e Shkodrës.

“Deri tani, fjalët tona kanë rënë në vesh të shurdhët”, tha ai.

Guri, i cili banon në Shkodër, por në periudhën kur është grumbullimi i frutit të gështenjës qëndron te shtëpia e të parëve të tij në Shosh, tregon se përgjegjësit kryesorë për këtë situatë janë institucionet përkatëse.

Sipas tij, nëse Bashkia Shkodër do ishte përgjigjur për kërkesat e tyre që, në momentin që ato e kanë ngritur si problematikë, shumica e pemëve frutore do të kishin shpëtuar.

Zëdhënësi i Bashkisë Shkodër, Blerti Delija, ka bërë me dije për Albanian Post se ky problem i banorëve është bërë publik edhe vitin e kaluar.

Sipas tij, Bashkia Shkodër ka informuar institucionet përkatëse për këtë çështje, por deri tani nuk janë marrë masa.

“Është përgjegjësi e Ministrisë së Bujqësisë gjetja e zgjidhjes, konkretisht e Shërbimit Veterinar dhe Mbrojtjes së Bimëve”.

Grumbulluesit e gështenjave dhe bletërritësit

Përveç banorëve, të cilët preken drejtpërdrejtë nga sëmundja e pemëve, personat e tjerë të dëmtuar nga ky fenomen janë edhe grumbulluesit e gështenjave dhe bletërritësit.

Për Albanian Post, Mirash Kroni, një shofer nga Shkodra, i cili grumbullon gështenjat e familjeve në zonën e Dukagjinit dhe ua shpërndan pikave të shitjeve, thotë se ulja e prodhimtarisë së gështenjave ka ndikuar edhe në ekonominë familjare të tij.

“Edhe unë personalisht, dëmtohem shumë nga kjo pjesë sepse, pasi i tregtoj gështenjat, nxjerr disa të ardhura. Ua blej familjareve atje në zonën e Dukagjinit dhe i shes në zonën e Shkodrës te pikat e shumicës që dërgohen gështenjat jashtë shtetit për eksport”.

Mark dhe Artan Gjeçaj duke kontrolluar bletët në Dukagjin

Mark Gjeçaj, një bletërritës, thotë për Albanian Post se zona e Dukagjinit është zonë e favorshme për t’i çuar bletët për të marrë mjaltin e gështenjës. Ky mjaltë, sipas tij, është i ushqyeshëm, me vlera kurative dhe është i pasur me minerale, hekur, vitaminat B dhe C.

Gjeçaj thotë që mjalti i marrë nga lulet e gështenjës “forcon muskujt dhe përmirëson qarkullimin e gjakut. Ai gjithashtu, forcon sistemin imunitar dhe ka vlera pozitive në sistemet e frymëmarrjes dhe të tretjes”.

“Me tharjen e pemës së gështenjës, as bletët nuk mund t’i dërgojmë më atje. Tregu ka mangësi të mjaltit të gështenjës dhe, nëse situata vazhdon e tillë, çmimi i saj do të arrijë majat”.

Banorët iu drejtuan Albanian Post për të ngritur shqetësimin e tyre, sepse qeveria dhe pushteti lokal nuk u ka ardhur në ndihmë. Ata shprehen të pashpresë kundrejt kësaj sëmundjeje.

“Po të mos na ndihmojë shteti, nuk dimë nga të mbytemi”, përmbyll Rrgalla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore