Pentagon: Putin po shton trupat ruse rreth Ukrainës

SHFLETO
albanianpost
31.01.2022 9:14
Loading Icons...

Zëdhënësi i Pentagon-it, John Kirby, deklaroi gjatë një interviste se Rusia rriti më tej nivelet e trupave në kufirin ukrainas gjatë fundjavës.

“Putin mund të ndërmarrë një ofensivë të vogël, por përshkallëzimi i konfliktit mund të jetë edhe i madh. Ai vazhdon të shtojë trupa në kufi me Ukrainën. Ne jemi në dijeni të kësaj edhe gjatë fundjavës”, tha Kirby në “Fox News Sunday”.

Sipas tij, kjo shton opsionet e presidentit Vladimir Putin.

Kjo, në rast se ai vendos të iniciojë një inkursion ushtarak.

“Ai mund të ekzekutojë disa prej këtyre opsioneve menjëherë”, nënvizoi zëdhënësi.

Zëdhënësi ravijëzoi se ofensiva “mund të ndodhë në çdo kohë”.

“Varet se çfarë mund të dëshirojë të bëjë Vladimir Putin”, shtoi zyrtari amerikan.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj po kërkojnë të rrisin presionin ushtarak dhe diplomatik ndaj Rusisë.

Kremlini ka grumbulluar rreth 100 mijë trupa pranë Ukrainës dhe planifikoi stërvitje ushtarake muajin e ardhshëm në Bjellorusi.

Autoritetet ruse mohojnë se po planifikojnë të pushtojnë më tej shtetin lindor.

Presidenti Joe Biden ka thënë se do të dërgojë trupa amerikane në Evropën Lindore.

Gjatë të hënës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, SHBA-të do kërkojnë të marrin masa për shkeljet e Rusisë ndaj Ukrainës.