Lajme

“Peng” i ushtarëve izraelitë – del raporti mbi vdekjen e izraelito-amerikanit


Një raport izraelit mbi vdekjen e një amerikano-palestinezi në Bregun Perëndimor, pasi u arrestua këtë muaj nga trupat izraelite, shkruhet se asnjë nga këta të fundit nuk ka gjasa të ndiqet penalisht.

Kjo, pavarësisht se hetuesit konfirmuan se viktima u tërhoq zvarrë nga makina e tij, iu lidhën sytë, u prangos dhe humbi jetën teksa po mbahej në një kantier ndërtimi.

Zbulimi, i bërë publik të dielën nga Ynet, gazeta online “Yedioth Ahronoth”, përfshin të dhëna se ushtarët nuk kishin kërkuar ndihmë mjekësore për 78-vjeçarin Omar Assad, edhe pse mjeku ushtarak ishte pranë.

Pesë ushtarë, duke përfshirë dhe dy komandantë u thanë hetuesve se ata mendonin se Assad-in thjesht e kishte zënë gjumi dhe se ai nuk kishte treguar asnjë shenjë se ishte i sëmurë.

Hetimi po kryhet nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit.

Nga ana tjetër, dy të arrestuar, në të njëjtën kohë me Assad-in, për të përditshmen “The Washington Post” kanë deklaruar se ai ishte pa ndjenja dhe nuk merrte frymë kur ushtarët i lanë në oborrin e një shtëpie të rrënuar.

Kush ishte Assad?

Assad, ish-pronar i një ushqimoreje në Milwaukee, vuante nga një sëmundje në zemër.

Sipas një mjeku, i cili i dha ndihmën e shpejtë në vendngjarje pothuajse menjëherë pasi u larguan ushtarët, vdiq nga një atak kardiak në zemër.

Zyrtarët palestinezë thanë se, në fillim të javës së ardhshme, presin të publikohen rezultatet e autopsisë.

Në raportin e Ynet shkruhet se vendimi përfundimtar për çdo veprim kundër ushtarëve do të varet nga kryeprokurori ushtarak.

Por përmbledhja e zbuluar sugjeroi se asnjë nga ushtarët ose oficerët “nuk do të paditej dhe as nuk do të pezullohej”.

Departamenti Amerikan i Shtetit i ka bërë thirrje Izraelit të kryejë një “hetim të plotë”.

Assad kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij në SHBA, ku rriti dhe pesë fëmijë përpara se të kthehej në Bregun Perëndimor të pushtuar rreth një dekadë më parë.

Sipas burimeve të Ynet, avokatët ushtarakë që përfaqësojnë ushtarët, thanë se ata nuk ishin përgjegjës për vdekjen e Assad-it.

“Palestinezi u arrestua ligjërisht gjatë operacionit në përputhje me procedurat”, deklaruan ata.

“Vdekja e tij nuk lidhet me sjelljen e forcës ushtarake”.

Por grupet e të drejtave të njeriut kundërshtuan sugjerimin se asnjë pjesëtar ushtarak nuk do të mbahej përgjegjës.

Në raport shkruhej se ushtarët kishin ngritur dy pika kontrolli të befasishme në fshatin e lindjes së Assad-it, Jiljilya, në veri të Ramallah-it, duke ndaluar automjetet për të gjetur ndonjë armë ose palestinezë në kërkim, për t’i marrë në pyetje.

Ushtarët përshkruan ndalimin e Assadit, për të cilin familja e tij tha se po kthehej nga loja me letra në shtëpinë e një kushëriri më pak se një milje nga shtëpia e tij, se ai nuk kishte me vete as pasaportën e tij amerikane apo ndonjë mjet identifikimi tjetër.

Ushtarët thanë se Assad “dukej të paktën 20 vjet më i ri” se mosha e tij dhe se ai kundërshtoi me forcë pretendimin e ushtarëve se ai ishte terrorist.

Sipas raportit, të shqetësuar se britmat e tij do të informonin dhe të tjerët për praninë e ushtarëve në rrugë, të paktën dy prej tyre “e kapën me forcë dhe e çuan në shtëpinë e braktisur dhe i mbuluan gojën”.

Pasi morën në pyetje atë dhe disa palestinez të tjerë të arrestuar, ushtarët i liruan sytë dhe duart 78-vjeçarit dhe e lanë në një karrige.

Por dëshmitarët thanë se Assad ishte i shtrirë në tokë dhe pa shenja jete kur ekipi izraelit u largua.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore