Vende

Pema më e vjetër në Tokë rritet në Kili


Kjo pemë zuri rrënjë rreth 5 mijë e 400 vjet më parë.

Si referencë, në të njëjtën kohë, njerëzimi krijoi shkrimin më të lashtë, shkruan revista “Science”.

Pema u rrit në malet bregdetare të Kilit modern në një luginë të freskët dhe të lagësht.

Aty nuk u kërcënua nga zjarret apo sëpatat e druvarëve.

Diametri i trungut të organizmit më të vjetër të gjallë në Tokë është më shumë se katër metra.

Pjesa më e madhe e trungut është tharë, një pjesë e kurorës ka rënë dhe pema është mbuluar me myshqe e likene.

Kjo pemë, e njohur si Alerce Milenario ose Gran Abuelo (Stërgjyshi – AP), mund të kurorëzohet me një titull të ri dhe të jashtëzakonshëm: gjallesa më e vjetër në Tokë.

Jonathan Baricivic, një shkencëtar mjedisor kilian i cili punon në Laboratorin e Shkencave të Klimës dhe Mjedisit në Paris, ka llogaritur se Alerce Milenario është ndoshta mbi 5 mijë vjeçar.

Kjo e bën atë të paktën 1 shekull më të vjetër se mbajtësi aktual i rekordeve: Methuselah, një pishë në Kaliforninë lindore me 4 mijë e 853 unaza të rritjes.

Alerët i përkasin të njëjtës familje botanike si sekujat gjigante.

Baricivic thotë se gjyshi i tij e zbuloi pemën rreth vitit 1972.

Gjyshi dhe nëna e tij punonin si kujdestarë në parkun ku rritet pema e lashtë.

Baricivic iu drejtua modelimit statistikor për të përcaktuar moshën e plotë të Alers Milenario.

Ai përdori mostra bazë nga pemë të tjera Alers dhe informacione se si faktorët mjedisorë dhe variacionet e rastësishme ndikojnë në rritjen e pemës.

Metoda dha një vlerësim total të moshës prej 5 mijë e 484 vjet.

“Ishte e mahnitshme”, deklaroi ai për revistën. “Prisja që pema të ishte rreth 4 mijë vjet e vjetër”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore