Shqipëria

Pelinku: Votimi elektronik ka ecur në mënyrë të shkëlqyer


Nënkomisionerja Shtetërore e Zgjedhjeve, Lealba Pelinku, në një dalje për mediat, ka bërë të ditur problematikat që janë hasur me identifikimin elektronik të zgjedhësve (PEI), sa i përket ecurisë së punës në zgjedhjet e pjesshme vendore që u mbajtën të dielën e 6 marsit.

“Kemi pasur një mbulim në 99% të qendrave të votimit, deri dje situata na jepte një panoramë 100% të mbulimit, për problematika që dihen, vështirësitë klimatike në Shkodër, në tri qendra nuk është përdorur pajisja e identifikimit”, tha ajo në fjalën e saj.

Ajo theksoi se janë zëvendësuar 15 pajisje PEI të identifikimit elektronik.

“Në një qendër në Durrës dhe Dibër ka qenë e pamundur zëvendësimi i operatorit, pasi u njoftua në orën 07:00 si problematikë”, vijoi ajo në fjalën e saj.

Ndërkaq tha se në dy qendra votimi ku procesi ka nisur me pajisjen PEI dhe, më pas, është vazhduar manualisht.

“Në një rast nuk kanë respektuar afatin prej dy orësh për zëvendësimin e pajisjes dhe është vendosur në kalimin manual”, shpjegoi ajo arsyet.

“Votimi elektronik ka ecur në mënyrë të shkëlqyer dhe nuk kemi dyshim që edhe numërimi do të kryhet në qendrat e votimit dhe do të raportohet si rezultat paraprak në KQZ”, përfundoi shpjegimin për mediat Pelinku.

Gjashtë janë bashkitë ku po zhvillohen zgjedhjet lokale: Dibër, Lushnjë, Durrës, Shkodër, Rrogozhinë dhe Vorë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore