Shqipëria

Peleshi thirrje Bashkisë Shkodër: Të monitorohen vazhdimisht lumenjtë


Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi në një deklaratë për mediat këtë të martë ka folur mbi kushtet e këqija të motit që kanë përfshirë Shqipërinë.

Ai njofton se reshjet e shiut dhe moti i keq parashikohet të vijojnë deri në datën 21 janar.

“Për ditën e sotme, priten reshje shumë intensive në qarqet Shkodër e Kukës,
intensive në Dibër e Lezhë e mesatare në qarqet e tjera. Reshjet pritet të shoqërohen dhe me shtrëngata në Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Gjirokastër, Elbasan e Vlorë. Në gjithë zonat e tjera të vendit reshje intensive me intensitet më të lartë në veri të vendit”, thekson ai.

Prurjet në kaskadën e Drinit, sipas ministrit “do pësojnë rritje prej mëngjesit të ditës sotme deri në 21 janar do kenë rend rritës”.

“Rritje gatishmërie të strukturave të Mbrojtjes Civile që kanë në administrim rezervuare infrastrukturë rrugore, furnizim me energji elektrike. Bashkia Shkodër ka marrë nevojën për marrje masa për paralajmërimin e popullsisë veçanërisht në zonat e Nën Shkodrës, në rrethina etj të marrë masa për monitorimin e lumenjve të Bunës, Kirit dhe Drinit”, tha Peleshi.

Kushtet e këqija atmosferike në veri të Shqipërisë kanë sjellë edhe rrëshqitje gurësh në Prekal të Shkodrës, ku një pjesë e rrugës është bllokuar.

Për shkak të rrëshqitjes së dherave dhe gurëve, e gjithë traseja e rrugës është e zënë.

Ndërsa, për kthimin e situatës në normalitet, po punohet nga vetë firma e kontraktuar, e cila po pastron rrugën nga mbetjet e rëna aty.

Dëme të tjera në qark nuk raportohen, pavarësisht se ka lajmërime për përkeqësim të situatës atmosferike dhe shtim të ndjeshëm të reshjeve.

Situata problematike parashikohet të ketë edhe në Kukës, Dibër dhe Lezhë, ku mund të ketë vërshim të lumenjve të vegjël malorë.

Rrëshqitje gurësh në Prekal nga moti i keq

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore