Shqipëria

Peleshi në Izrael për “Mbrojtjen Kibernetike”: Të vrapojmë që të arrijmë vendet e përparuara në teknologji


Ministri i Mbrojtjes në Shqipëri, Niko Peleshi

“Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë humbur mjaft kohë në një sistem të gabuar para viteve ‘90, kështu që tani duhet të vrapojmë që të arrijnë vendet e përparuara në teknologji”.

Kështu u shpreh ministri i Mbrojtjes në Shqipëri, Niko Peleshi, gjatë fjalës së tij në një konferencë të zhvilluar në Izrael me temë “Mbrojtja Kibernetike”.

Ministri në fjalën e tij e vendosi theksin të angazhimi, bashkëpunimi dhe koordinimi ndërkombëtar për të ofruar siguri kundër sulmeve kibernetike të çdo lloji.

“Zhvillimet në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit kanë sjellë përfitime të mëdha, por njëkohësisht sfida dhe kërcënime po aq të mëdha, çka e bën jetësore mbrojtjen dhe sigurinë kibernetike”, tha Peleshi.

Duke iu referuar vendeve të zhvilluara Ministri Peleshi kërkoi që ata duhet, “të drejtojnë, por në të njëjtën kohë ato duhet t’i asistojnë, mbështesin dhe ndihmojnë të tjerët që të përparojnë dhe të krijojnë elasticitetin dhe mjetet e nevojshme në fushën kibernetike”.

Peleshi shtoi se pandemia solli përdorimin më të shpeshtë të internetit dhe tashmë “kjo krijoi terren të pasur dhe është më e lehtë se kurrë për të ekzekutuar çdo sulm kibernetik”.

Përveç këtyre sipas Peleshit sulmet kibernetike kërcënojnë, sulmojnë thelbin e demokracive liberale dhe vullnetin e lirë të shoqërive moderne”.

Për më tepër ai foli edhe për përpjekjet që po bën qeveria shqiptare, e cila po investon gjithnjë e më shumë në inovacion, teknologji dhe infrastrukturë digjitale – për të ofruar shërbime digjitale për qytetarët.

Ndër të tjera Peleshi tha se Shqipëria si një vend anëtar i NATO-s ka krijuar, “Njësinë Ushtarake për Sigurinë Kibernetike” dhe është në mbështetje të vazhdueshme me partnerët e saj strategjikë për ta zhvilluar këtë më tej.

“Ne mezi presim të ofrojmë një mjedis të favorshëm për zhvillimin e zgjidhjeve inovative duke krijuar ‘Ekosistemin e Inovacionit’ brenda Institucionit të Mbrojtjes”, e përmbylli Peleshi fjalën e tij.

Ministria e Mbrojtjes së shpejti do të marrë si pjesë të fushës së përgjegjësisë së saj politikbërjen dhe monitorimin e mbrojtjes kibernetike, duke u kthyer në institucionin qendror të politikave, rregullave, standardeve të mbrojtjes kibernetike – jo vetëm për hapësirën e sigurisë dhe mbrojtjes ushtarake, por edhe për të gjithë sistemet e tjera infrastrukturës kritike, private e publike.

Së bashku me Peleshin e pranishme në konferencë ishte dhe Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Boza Muzhaqi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore