Lajme

Pekini, qyteti me më shumë miliarderë


Pekini është tani qyteti me më shumë miliarderë se çdo qytet tjetër në botë. Lajmin e bëri të ditur revista e biznesit, Forbes, e cila publikoi listën vjetore të më të pasurve.

Kryeqytetit kinez iu shtuan 33 miliarderë vitin e kaluar dhe tani ka arritur në 100 të tillë, shkruhet në revistë.

Pekini kaloi me një rezultat shumë të ngushtë qytetin e New York-ut, në të cilin banojnë 99 miliarderë dhe e ka mbajtur vendin e parë për shtatë vitet e fundit.

Parandalimi i shpejtë i përhapjes së coronavirus-it nga qeveria kineze, zgjerimi i firmave të saj të teknologjisë dhe tregjet e aksioneve e ndihmuan atë të kryesonte.

Edhe pse Pekini tani ka më shumë miliarderë sesa New York-u, vlera e kombinuar e miliarderëve të qytetit të New York është 80 miliardë dollarë amerikanë më e madhe se ajo e homologëve të tyre në Pekin.

Banori më i pasur i Pekinit ishte Zhang Yiming, themeluesi i aplikacionit TikTok. Gjatë vitit 2020 atij iu dyfishua vlera e tij neto në 35,6 miliardë dollarë.

Në të anën tjetër, banori më i pasur i New York City, ish-kryetari i bashkisë, Michael Bloomberg, me një pasuri prej 59 miliardë dollarësh.

Bumi i tregtisë elektronike të Kinës

Kina, së bashku me SHBA, kanë qenë dëshmitarë të rritjes së kompanive të teknologjisë gjatë pandemisë. Kjo erdhi ndërsa më shumë njerëz blenë në internet dhe kërkuan burime argëtimi.

Si rrjedhojë e kësaj, u vu re edhe shumëfishimi i pasurive personale të themeluesve dhe aksionerëve të këtyre kompanive të teknologjisë.

Kina, në numërimin e Forbes, shtoi më shumë miliarderë në listë se çdo vend tjetër, globalisht 210 emra të rinj.

Gjysma e miliarderëve të rinj të Kinës e bënë pasurinë e tyre nëpërmes ndërmarrjeve prodhuese ose teknologjike. Këtu përfshihet edhe miliarderja femër, Kate Wang, e cila i bëri paratë nga shitet e cigareve elektronike.

Me 698 miliarderë, Kina po i afrohet me hapa të shpejtë SHBA-së, e cila kryeson me 724 miliarderë.

Një miliarder çdo 17 orë

Në të gjithë botën, 493 persona iu bashkuan listës globale të miliarderëve, afërsisht një miliarder i ri çdo 17 orë, raporton Forbes.

India është shteti me numrin e tretë më të lartë të miliarderëve, me 140.

Në total, 1 mijë e 149 miliarderë nga Azia e Paqësorit kanë pasuri me vlerë 4.7 trilionë dollarë, krahasuar me 4.4 trilionë dollarë të miliarderëve amerikanë.

Jeff Bezos, themeluesi dhe shefi ekzekutiv i Amazon, mbetet personi më i pasur në botë për të katërtin vit radhazi. Pasuria e tij neto u rrit me 64 miliardë dollarë dhe kapi shifrat e 177 miliardë dollarë, vitin e kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore