Lajme

Pekini ndalon dasmat, funeralet dhe mbyll shkollat në luftën kundër COVID-it


Në një përpjekje për të shmangur zhytjen në një bllokim të stilit të Shanghai-t, Pekini ka mbyllur shkollat dhe ka pezulluar dasmat dhe funeralet në qytetin prej 22 milionë banorësh.

Frika se kryeqyteti mund të izolohet ka shkaktuar një grumbullim të gjerë, duke çuar në mungesa në disa supermarkete.

Atje, Byroja e Arsimit ka urdhëruar të gjitha shkollat e qytetit të përfundojnë mësimet nga e premtja dhe ka zbuluar se nuk e ka përcaktuar se kur do të mund të rifillonin.

Pekini ka lëvizur më shpejt se vendet e tjera në Kinë për të vendosur kufizime teksa numri i rasteve mbetet i ulët.

Qeveria është e shqetësuar për të shmangur masat gjithëpërfshirëse të vendosura në Shanghai gjatë muajit të kaluar, të cilat kanë shkaktuar zhgënjim për mungesën e ushqimit dhe furnizimeve bazë.

Në të gjithë Kinën, autoritetet kanë thënë se po godasin rritjen e çmimeve.

Ministria e Sigurisë Publike ka njoftuar se çdo individ që përfiton nga shpërthimet për të bërë një fitim do të trajtohet në mënyrë rigoroze, me gjoba deri në tre milionë juanë.

Po ashtu autoritetet kanë urdhëruar testime masive të më shumë se 20 milionë njerëzve në të gjithë Pekinin këtë javë.

Si nëpër shkolla, kufizime janë vendosur në disa ndërtesa banimi individuale, blloqe zyrash dhe një universitet dhe disa hapësira dhe ambiente publike janë mbyllur.

Referuar analistëve, më shumë se 340 milionë njerëz në Kinë janë nën izolim të plotë ose të pjesshëm në 46 qytete.

Qendra prodhuese jugore Guangzhou ka anuluar qindra fluturime dhe ka urdhëruar testimin masiv të rreth 5.6 milionë njerëzve pasi zbuloi një rast të dyshuar.

Ndërkohë, Shanghai ka raportuar numrin më të ulët ditor të rasteve në më shumë se tre javë, me 9 mijë e 330 diagnoza asimptomatike.

Autoritetet kanë zbuluar se do të vënë në dispozicion më shumë burime për të përmirësuar normat e vaksinimit te të moshuarit, por nuk kanë treguar shenja të heqjes së bllokimit.

Për javë të tëra, 25 milionë banorët e qytetit kanë qenë në izolim me mungesë ushqimi dhe ndërprerje të shpërndarjes.

 

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore