Lajme

Pekini i dërgoi kundërshtime Seulit për deklaratat mbi Tajvanin


Zëvendës ministri i Jashtëm kinez Sun Weidong i dërgoi ankesa zyrtare ambasadorit të Koresë së Jugut për deklaratat e “gabuara” të presidentit të Koresë së Jugut Yoon Suk Yeol për Tajvanin, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme kineze.

Në një intervistë për agjencinë “Reuters”, presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol tha se tensionet e rritura mbi Tajvanin ishin për shkak të përpjekjeve për të ndryshuar me forcë status quo-në dhe ai e kundërshtoi një ndryshim të tillë.

“Çështja e Tajvanit nuk është vetëm një çështje Kinë-Tajvan, por si çështja e Koresë së Veriut, është një çështje globale”, tha Yoon.

Vërejtjet e Yoon janë “krejtësisht të papranueshme”, tha Sun, sipas një deklarate nga ministria e jashtme e Kinës.

“Udhëheqësi i Koresë së Jugut nuk përmendi parimin e një Kine, por e barazoi çështjen e Tajvanit me çështjen e Gadishullit Korean”, shtoi Sun.

Kina pretendon se Tajvani është pjesë e territorit të saj, gjë që Taipei e refuzon me forcë dhe kërkon që edhe vendet që kanë lidhje me Tajvanin ta pranojnë këtë qëndrim.

“Si Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut janë shtete sovrane që janë anëtarësuar në Kombet e Bashkuara. Është një fakt i njohur se çështjet e Gadishullit Korean dhe çështja e Tajvanit janë krejtësisht të ndryshme në natyrë dhe në gjerësi dhe gjatësi dhe nuk mund të krahasohen fare. Kjo do të thotë se problemet e Gadishullit Korean dhe Tajvanit janë krejtësisht të ndryshme”, u shpreh zyrtari kinez.

Ankesa e Sun pasoi kritikat e javës së kaluar nga ministria e jashtme e Kinës se Koreja e Jugut duhet t’i trajtojë çështjet e Tajvanit “me maturi”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore