Lajme

Pejë: Arrestohen dy persona për vjedhje në një shkollë


Ilustrim

Policia e Kosovës në qytetin e Pejës ka arrestuar dy persona të cilët dyshohet se kanë hyrë në Shkollën e Mesme të Ulët “8 Marsi” në Pejë për të vjedhur pajisje teknologjike.

Në shkollë ishin vjedhur dy televizorë dhe një lap-top, të dyshuarit janë arrestuar dy ditë pas lajmërimit të rastit në polici.

Sipas policisë, ë arrestuarit dyshohen për veprat penale “vjedhje e rëndë”, “blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll dhe shfrytëzim të paautorizuara të armës”, thuhet në njoftim të policisë.

“Pas intervistimit të personit të dyshuar i cili dyshohet se ka kryer edhe disa vjedhje të tjera, në koordinim të plotë me Gjykatën kompetente dhe Prokurorin e shtetit është bërë kontroll/bastisja e shtëpisë së personit i cili kishte blerë sendet e vjedhura nga i dyshuari të cilat janë sekuestruar tre (3) televiziona, dy (2) llap top dhe një (1) tastatur”, thuhet në komunikatë.

Gjatë bastisjes tek i dyshuari (blerësi i sendeve) është gjetur edhe një armë e tipit “Zoraki” me kalibër 7.65 mm, një karikator i së njëjtës armë dhe dy fishekë të kalibrit 7.65mm, të cilat gjithashtu janë sekuestruar.

Policia me urdhër të Prokurorisë thotë se personave të dyshuar pas intervistimit iu është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore